Tematike

Në Cyrih, polic mund të bëhet vetëm kush ka pasaportë zvicerane

Me 91 vota, Këshilli Kantonal ka miratuar të hënën një iniciativë parlamentare për ta futur në ligj pasjen e pasaportës zvicerane për t`u bërë polic

Ata që duan të punojnë si policë në kantonin e Cyrihut duhet edhe më tutje të kenë shtetësinë zvicerane për ta bërë këtë.

Me 91 vota, Këshilli Kantonal (Parlamenti) ka miratuar të hënën një propozim parlamentar për ta futur në ligj një gjë të tillë, shkruan sda.ch.

Kjo do të bëhet për të parandaluar që trupat e veçanta të policisë të jenë në gjendje të heqin dorë nga ky detyrim.

Nga ana tjetër, PS, të Gjelbrit, AL dhe GLP janë shprehur kundër .

“Përjashtimi i njerëzve nga profesioni i policisë vetëm për shkak se u mungojnë të drejtat civile nuk përkon me frymën e kohës”, ka thënë Andrea Gisler (GLP).

Ithtarët e pranimit të të huajve në shërbimin policor u janë referuar me këtë rast përvojave pozitive që kanë bërë tashmë kantonet e tjera, transmeton albinfo.ch. Sipas tyre, është e rëndësishme që policia të pasqyrojë përbërjen e popullsisë.

Qyteti i Cyrihut dëshiron të lehtësojë kriteret

Çështja nëse policët duhet të kenë pasaportën zvicerane apo jo i ka preokupuar politikanët e Cyrihut tashmë disa herë.

Kohët e fundit, debati rreth kësaj teme është nxitur nga përpjekjet e bëra në qytetin e Cyrihut për të pranuar të huaj me leje C në trajnimin policor, përcjell albinfo.ch. Për të punuar më pas për policinë e qytetit të Cyrihut, atyre do t’u duhej megjithatë, paraprakisht të natyralizoheshin.

Me lëvizjen e saj aktuale, deputetja Fehr Düsel synon po ashtu të parandalojë këtë zbutje në qytetin e Cyrihut, nëse është e mundur.

“Si pjesë e konsultimit në komision, ne do të angazhohemi  që pasja e shtetësisë zvicerane të zbatohet edhe për aspiratorët (nxënësit) e shkollës së policisë,” ka thënë ajo.