Shkurt.ch

Kantoni i Cyrihut ka 1 milion e 373`000 banorë

Numri e as përqindja e kosovarëve nuk specifikohet në këtë statistikë. Po ashtu as ai i shqiptarëve në përgjithësi

Në fund të vitit 2010 në Kantonin e Cyrihut kanë jetuar 1`373`000 njerëz. Ky numër përbën 17.4% të popullatës së gjithëmbarshme të Zvicrës.

Nga shifra e lartpërmendur, 1 milion e 42000 veta janë me shtetësi zvicerane ndërsa 331`000 kanë shtetësi të huaj.

Dy nga tre qytetarët e kantonit të Cyrihut jetojnë në qytete, ndërsa përqindja e të huajve në këtë kanton është 24.1%. Kjo përqindje e kalon mesataren zvicerane, e cila është 22.4%, njofton Enti për Statistikë i kantonit.

Të huajt me qëndrim në Kantonin e Cyrihut vijnë nga 176 vende të botës. Por, gjysmën e numrit të përgjithshëm të të huajve e përbëjnë qytetarët e katër shteteve: gjermanët, italianët, portugezët dhe serbët.

Kur është fjala te shtetasit serbë, duhet përmendur se këtu janë përfshirë edhe një numër i panjohur shqiptarësh nga Kosova, të cilët ende nuk e kanë marrë shtetësinë e Kosovës.

Kështu, numri i kosovarëve, i paspecifikuar me shifra ose me përqindje në këtë statistikë, sipas skemës së paraqitur figuron më i vogël se ai i shtetasve të Serbisë dhe madje edhe më i vogël se i shtetasve maqedonas, që janë 4%.

Gjermanët, si grupimi më i madh i huaj në kanton përbëjnë 23 për qind të të gjithë të huajve. Pas tyre vijnë italianët me 15% ndërsa portugezët dhe serbët përfaqësohen me nga 7% në këtë përbërje.