Lajme

Ja çfarë page rekorde i ofron Tesla Elon Musk

”Tesla” po kërkon sërish t’i japë shefit Elon Musk marrëveshjen më të madhe të pagave në historinë e korporatave amerikane, me vlerë 56 miliardë dollarë, shkruan BBC.

Kompania e automjeteve elektrike (EV) po u kërkon aksionarëve të votojnë për pagën rekorde të CEO-t të saj, të vendosur për vitin 2018.

Megjithatë, marrëveshja u refuzua në janar nga një gjykatës amerikan, i cili e përshkroi atë si “një shumë të pamatur”.

Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Musk njoftoi planet për të shkurtuar më shumë se 10% të fuqisë së tij punëtore globale.

Në një shënim dërguar stafit, Musk tha se nuk kishte asgjë që ai urrente më shumë, “por duhet bërë”.

Tashmë dëmshpërblimi i tij është në qendër të vëmendjes, ndonëse kompensimi i propozuar nuk përfshin as pagë, as bonus.

Në vend të kësaj, marrëveshja e vitit 2018 paraqiste shpërblime të bazuara në rritjen e vlerës së tregut të ”Teslës” në 650 miliardë dollarë gjatë 10 viteve.

Sipas të dhënave, aksionet e kompanisë së automjeteve elektrike tani vlerësohen në 500,36 miliardë dollarë.

Në kohën e vendimit të saj, gjyqtarja me bazë në Delaware, Kathaleen McCormick, tha se marrëveshja e pagave ishte e padrejtë për aksionerët.

Vendimi zemëroi Musk, i cili më pas kërcënoi se do të zhvendoste selinë e ”Teslës” nga Delaware në Teksas.