Shkurt.ch

Iniciativë për ndryshimin e flamurit zviceran

Kryqi zviceran duhet të hiqet, kërkojnë nga Shoqata e migrantëve të gjeneratës së dytë „Secondos Plus“. Nga atje deklarojnë; „Flamuri zviceran nuk ka të bëjë më asgjë me Zvicrën aktuale multikulturore“

Kryqi ka një prapavijë të krishterë, shkruan „Der Sontag“. Prejardhja e krishterë e Zvicrës duhet respektuar, „por duhet bërë një dallim në mes të religjionit dhe shtetit“, kërkon nënkryetari Petrushiç. „Është e vërtetë se në Zvicër sot kemi një larmi të madhe religjioze e kulturore“.

Duhet kërkuar simbole të rinj me të cilët do të mund të identifikoheshin të gjithë, po ashtu edhe ata që nuk janë të krishterë. Si simbol i ri kombëtar zviceran, propozohet ish flamuri i Republikës helvete, i cili ishte futur në përdorim për herë të parë zyrtarisht në vitin 1799 dhe përbëhej nga ngjyra e gjelbër, e kuqe dhe e verdhë, të shtrira në mënyrë horizontale.

Ky flamur ka ngjashmëri me flamujt aktualë të shtetit të Ganës dhe Bolivisë. Ngjyra e kuqe dhe e verdhë simbolizonin ish kantonet Schwyz dhe Uri, ndërsa e gjelbra simbolizonte revolucionin. Në atë kohë, të gjithë të huajt kishin të drejtë vote nga mosha 20-vjeçare. Flamuri helvetik është për një Zvicër më progresive dhe më të hapur.

Nga fillimi i muajit tetor, Secondos Plus është duke planifikuar të lancojë një debat lidhur me ndryshimin e flamurit. „Plotësisht e papranueshme““, ka komentuar iniciativën, këshilltarja nga SVP e Aargaut, Sylvia Flückiger. „Asgjë nuk ka për tu ndryshuar në flamurin tonë. Hapi tjetër i tyre me siguri do të jetë edhe ndryshimi i Kushtetutës tonë. Lidhur me këtë ka reaguar edhe këshilltarja e SP-së nga Berna, Margret Kiener Nellen: „Unë do ta lëja ashtu siç është flaumrin zviceran“. Nellen angazhohet për diçka krejtësisht tjetër, „që të gjithë njerëzit të trajtohen me dinjitet dhe të drejta të barabarta“.