Lajme

Heldt: Gjermania e mirëpret heqjen e taksës

Gjermania e mirëpret tërheqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

“Gjermania e mirëpret vendimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për të hequr plotësisht tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky është një parakusht i rëndësishëm për rifillimin e dialogut për normalizim. Detyra tani është të rindërtohet gradualisht besimi për procesin e udhëhequr nga BE-ja”.

Heldt shtoi se ankesat ekzistuese si barrierat jotarifore duhet të zgjidhen nga vendet.

Diplomati gjerman theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të përballen me situatën e krijuar nga koronavirusi.

“Ankesat ekzistuese si barrierat jotarifore duhet të zgjidhen nga vendet e tjera brenda kornizës ekzistuese të BE-së. BE ka ofruar mbështetjen këtu, e cila duhet të merret me krijimin e një niveli të qarkullimit të mallrave nga të dy palët tani. Të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, duhet të përballen me sfidën e pashembullt me koronavirusin. Kjo nuk është koha për manovrime politike, por për t’u përqendruar në tejkalimin e krizës shëndetësore”, shkruan Klankosova, përcjell Albinfo.ch.