Kosova

Haxhiu takohet me homologun danez, flasin për zbatimin e marrëveshjes për burgjet

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka pritur në takim homologun e saj danez, Peter Hummelgaard, me të cilin kanë diskutuar për përparimin në zbatimin e marrëveshjes për burgjet, përcjell albinfo.ch.

Përmes njoftimit për media, bëhet e ditur se në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja, një projekt i cili do të përfundojë brenda 18 muajsh.

“Projekti për renovimin e burgut dhe ndërtimin e infrastrukturës është hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili tashmë ka nënshkruar kontratën për hartimin e specifikave teknike. Gjatë kësaj periudhe, përveç punimeve infrastrukturore, do të trajnohet stafi aktual dhe do të rekrutohet stafi i ri, sipas nevojave të përcaktuara në marrëveshje. Të dy ministrat theksuan rëndësinë e Komitetit të Përbashkët Drejtues, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e plotë të marrëveshjes, duke siguruar përmbushjen e standardeve për menaxhimin e burgut dhe përkujdesjen ndaj të burgosurve. Marrëveshja Bashkëpunuese ndërmjet dy vendeve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit”, thuhet në komunikatë.