Tematike

Gjithçka që duhet të dini për pushimin e atësisë në Zvicër

Etërit duhet të marrin kohën e tyre të pushimit të paguar brenda gjashtë muajve të parë pas lindjes së fëmijës. Nëse ato ditë nuk përdoren, do të “digjen” pastaj.

Duke filluar nga fillimi i vitit që vjen, baballarët në Zvicër do të kenë të drejtë për dhjetë ditë pushimi. Kështu ka vendosur populli në referendumin e mbajtur të dielën, në nivel vendi.

Deri më atëherë, baballarët e rinj, për lindjen e fëmijës së tyre mund të kërkojnë maksimalisht dy ditë pushimi nga punëdhënësi i tyre, shkruan 20minuten.ch. Kjo do të ndryshojë nga viti i ri: baballarët do të kenë dy javë pushim atësie. Por si funksionon kjo në praktikë?

Në vazhdim, pyetjet dhe përgjigjet më të rëndësishme në lidhje me zbatimin e këtij pushimi

Kur fillon të zbatohet pushimi i atësisë?

Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2021. Ata që punojnë 100 për qind, kanë të drejtë për dhjetë ditë pushim me pagesë, transmeton albinfo.ch. Bashkë me fundjavat bëhet fjalë për 14 ditë pushim.

Derisa fëmija im është foshnjë, unë ende nuk kam shumë çfarë të bëj për të. A mund ta shfrytëzoj këtë pushim kur fëmija është më i madh?

Jo. Etërit duhet të marrin kohën e tyre të pushimit të paguar brenda gjashtë muajve të parë pas lindjes së fëmijës. Nëse ato ditë nuk përdoren, do të “digjen” pastaj.

“Kjo periudhë ka kuptim, pasi që pushimi i atësisë është menduar si mbështetje pas lindjes së një fëmije,” thotë Jasmin Danzeisen, eksperte e diversitetit në konsulencën PWC Zvicër. Në këtë mënyrë, babai përfshihet që në fillim në përkujdesjen e fëmijës, përcjell albinfo.ch. “Në këtë mënyrë ai ndërton një marrëdhënie të fortë me fëmijën”. Nëse babai mungon gjatë kësaj kohe, do të jetë më e vështirë për të që të “miqësohet” me të.

Çfarë saktësisht mund të kontribuojë një baba gjatë kësaj kohe?

Përveç gjidhënies, sipas Danzeisen, babai mund t’i ofrojë fëmijës të njëjtën gjë si nëna. “Ai mund ta marrë foshnjën në krahë dhe ta qetësojë atë kur ajo qan, ta ushqejë, ta ndërrojë, të luajë me të”. Etërit mund të japin një kontribut tjetër të rëndësishëm gjatë pushimit të atësisë nëse kujdesen për shtëpinë dhe fëmijët më të mëdhenj. “Sa më shumë që përfshihet një baba, aq më lehtë është për nënën të ndahet nga fëmija dhe të kthehet në punë.”

A mund ta ndajnë pushimin në pjesë etërit e rinj?

Po. Koha e pushimit mund të merret në 14 ditë rresht duke përfshirë aty edhe fundjavën ose në baza ditore, që i bie dhjetë ditë pune. Në këtë mënyrë, ata mund të punojnë 80 për qind për rreth dy muaj e gjysmë, transmeton albinfo.ch. Jasmin Danzeisen thotë: “Nëse lindja ka qenë pa komplikime dhe nëna mund të llogarisë në mbështetje në javët e para, baballarët gjithashtu mund ta marrin pushimin atëror në baza ditore”.

Unë do të jem baba në dhjetor. A mund t’i shijoj pushimet e atësisë?

Jo. Vetëm baballarët e fëmijëve të lindur pas 31 dhjetorit 2020 mund të marrin pushimin.

E dashura ime do të lindë një fëmijë të paplanifikuar, në vitin e ri. Ne tashmë jemi marrë vesh që ajo do të kujdeset për fëmijën. A kam të drejtë për pushimin atëror?

Vetëm baballarët që janë martuar me partneren e tyre, të cilët njohin atësinë ose që kanë një vendim përkatës të gjykatës, kanë të drejtën e pushimit atëror.

A i marrin ende baballarët pagat, pavarësisht nga fakti se janë në pushim atësie?

Po. Punonjësit marrin 80 për qind të pagës mesatare që kanë fituar para se të lindte fëmija. Kjo është një maksimum prej 196 frangash në ditë. Maksimalisht 14 njësi ditore paguhen për babanë. Ashtu si kompensimi i lehonisë, edhe pushimi i atësisë financohet përmes skemës së kompensimit të të ardhurave (OE).

Danzeisen nuk i sheh të ardhurat e reduktuara si  handikap për baballarët e rinj. “Të bëhesh baba është më shumë se sa vlera në para”. Danzeisen gjithashtu thekson se ka kompani që vullnetarisht barazojnë pagat e etërve të rinj në 100 për qind ose japin si dhuratë, ditë pushimi plus për ta.