Futboll

Futbollisti shqiptar në Finlandë merr oferta nga shumë klube

Besfort Hoxha është talent në futbollin finlandez, ku së fundmi ka edhe oferta nga klube kroate, italiane e greke, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se kanë mjaftuar vetëm pak ditë në prova te Lokomotiva e Zagrebit, muaj më parë, që Besfort Hoxha të ftohet sërish nga ekipi i Kroacisë që po synon transferimin e tij. Hoxha është ende vetëm 15-vjeçar. Është i lindur në Finlandë, ku edhe jeton, ndërsa ofertat nuk i mungojnë as nga Italia e Greqia.

Theksohet se Besforti si futbollist është zhvilluar në akademinë e Honkas. Aktualisht është pjesë e ekipit U18, me gjithë faktin që është më i ri se të tjerët. Hoxha luan dy role në repartin ofensiv, sulmues i krahut të majtë dhe qendërsulmues, ndërsa vlerësohet për talentin, shkruan koha.net.

Ai në fillim të vitit të ardhshëm do të shkojë sërish te Lokomotiva e Zagrebit për stërvitje, përpara se t’i bashkohet edhe Cremoneses. Tashmë ka marrë ftesën e ekipit italian.

“Në muajin shtator, Besforti ka qenë për një javë në prova te Lokomotiva e Zagrebit përmes trajnerit Seid Onbashi. Ai në ditët e para i impresionoi të gjithë, ndërsa tani ka marrë një ftesë tjetër për t’iu bashkuar për dhjetë ditë për përgatitje dimërore në Rovinj me ekipin U18”, thotë Adil Hoxha, babai i Besfortit, që prej 2 deri më 12 shkurt do të jetë te Lokomotiva. Kjo skuadër është e njohur për zhvillimin e lojtarëve të rinj.

“Gjasat janë të mëdha që Besforti të mbetet në Kroaci, por nuk po ngutemi dhe jemi në pritje të ofertës së kroatëve”.

Besforti prej moshës shtatëvjeçare i është bashkuar akademisë së Honkas dhe me sukses ka kaluar të gjitha gjeneratat për të arritur tek ekipi U18.

Honka tashmë i ka ofruar kontratë profesioniste duke pasur parasysh interesimin e skuadrave të tjera. Krahas Lokomotivës e Cremoneses, Hoxha po kërkohet edhe nga Panathinaikosi dhe Iraklisi i Greqisë.