Futboll

Ftohen edhe dy shqiptarë në kombëtaren e Zvicrës në ndeshjen ndaj Bjellorusisë

Marrin ftesë edhe dy lojtarët që e refuzuan Kosovën

 

Bëhet e ditur se pas anulimit të ndeshjes me Izraelin, Kombëtarja e Zvicrës do të luajë vetëm një ndeshje në muajin tetor në kuadër të kualifikimeve drejt Kampionatit Evropian Euro 2024, përcjell albinfo.ch.

Duket se ekipi i Zvicrës është duke hasur probleme, ku pas largimit të Nico Elvedit nga grumbullimi si pasojë e një lëndimi në gju, edhe Ruben Vargas e Noah Okafor do të mungojnë gjithashtu në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, raporton KosovaPress.

Theksohet se Vargas e Okafor do të mungojnë të dielën e 15 tetorit për shkak të lëndimeve.

Arsyeja pse Vargas do të mungojë është si pasojë e një lëndimi në muskul, ku edhe mungoi në ndeshjen e fundit të Augsburgut në Bundesliga kundër Darmstadt. Ndërkaq, sulmuesi i Milanit, Okafor, do të mungojë për shkak të një lëndimi të lehtë në kokë.

Siç bëhet e ditur nga “Blick.ch”, sipas federatës, trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka reaguar menjëherë për të mbuluar mungesat e Okafor dhe Vargas.

Bëhet e ditur se dyshja me prejardhje shqiptare, Andi Zeqiri dhe Uran Bislimi, kanë marrë ftesë nga Yakin për ndeshjen ndaj Bjellorusisë.