Futboll

FSHF publikon “axhendën”: “Festojmë së bashku kualifikimin e kombëtares në Euro 2024”

Kombëtarja e Shqipërisë sonte do të luajë lojën e saj të fundit përballë Ishujve Faroe, ndeshje me të cilën përmbyll rrugëtimin në grupin E të eliminatoreve të Euro 2024, pas sigurimit të biletës për gara.

Në kuadër të kësaj, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar “axhenden e festimeve”, për këtë natë, shkruan albinfo.ch.

Sipas njoftimit, nga ora 17:45 do të fillojë hyrja e tifozëve në stadium. Hapja e flamurit në tribunën lindore dhe koreografia me plasmasët kuqezi në të gjithë stadiumin zhvillohet prej orës 20:37, teksa ndeshja fillon 8 minuta më vonë, nga ora 20:45.

Ansambli i këngëve dhe valleve popullore pritet të zhvillojë performancë nga ora 21:30, ndërsa festë me fishekzjarre është planifikuar prej orës 22:40.

Dhjetë minuta më vonë, prej orës 22:50, do të bëhet prezantimi i klipit “Rrugëtimi i Shqipërisë në fushatën kualifikuese për Euro 2024”.

Kolazh me këngë patriotike do të performohet nga Juliana Pasha nga ora 23:00, teksa pas 20 minutave, kombëtarja rikthehet në fushë dhe përshëndetet me tifozët.

Festa përmbyllet me fishekzjarre në mesnatë.