Kosova
“Foda është trajneri i duhur”, thonë futbollistët shqiptarë që punuan me të
Të shtunën e 17 shkurtit është zyrtarizuar Franco Foda si trajner i Kombëtares së Kosovës.
Trajneri gjerman në kohën e udhëheqjes së ekipit zviceran Zuerichu, edhe pse nuk i zgjati shumë, punoi me lojëtarë të Kosovës.
“Bëhet fjalë për një trajner shumë të mirë”, ka thënë sulmuesi i Hartbergut austriak, Donis Avdijaj, për KOHËN. Sulmuesi Avdijaj me trajnerin gjerman ka punuar te skuadra e Sturm Grazit dhe së fundi te Zuerichu në vitin 2022.
Skuadrës zvicerane i ishte bashkuar me kërkesë të trajnerit Foda.
Nën drejtimin e trajnerit gjerman, Avdijaj e pati ringjallur karrierën e tij te skuadra e Sturm Grazit. Pati, po ashtu, një start të mirë te Zuerichu.
Por, me largimin e Fodas, Avdijaj nuk gjeti hapësirë. Edhe ai u largua shpejt. Shpreson të punojë sërish me Fodan. “Do të shohim”, ka theksuar Avdijaj.
Sulmuesi Avdijaj nuk ishte lojtari i vetëm shqiptar që Foda e kishte nën urdhrat e tij te Zuerichu.
Pjesë e Zuerichut, skuadrës së fundit ku ka punuar Foda, ishin edhe Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Lindrit Kamberi, Blerim Xhemaili dhe Bledian Krasniqi.
Para tyre me Fodan punoi ish-sulmuesi i Kosovës, Albert Bunjaku. Bunjaku ishte kapiten i skuadrës gjermane, Kaiserslautern, e drejtuar nga Foda në edicionin 2012/2013 në Bundesliga 2. Te Kaiserslauterni, Foda e kishte lojtar edhe Enis Alushin.
Punën e Fodas e vlerëson edhe Bunjaku. Bunjaku ishte kapiten gjatë kohës kur Kaiserslauternin e drejtonte Foda.
“Kemi punuar shumë mirë së bashku. Ai më pati pyetur se a dëshiroj të bëhem kapiten dhe nga fillimi e kemi pasur punën e mirë. Franco është profesionist në punën e vet që e bën. Pa dyshim që është zgjedhja më e mirë e Kosovës”, ka thënë Bunjaku për KOHËN të dielën.
Ai thotë se Foda është trajner me karakter.
“Kemi pasur një raport të mirë. E kërkonte gjithnjë mendimin tim para lojës. Nëse nuk i ec ashtu siç mendon ky, mund të bëhet i vështirë për lojtarët. Por mendoj se duhet të jetë pak i vështirë për të pasur rezultate”, është shprehur Bunjaku, që ka luajtur edhe për Zvicrën.
Ish-sulmuesi i Bundesligës insiston se Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë zgjedhjen e duhur me Fodan. Suksesi, sipas Bunjakut, nuk do të mungojë nëse gjithçka shkon sipas planit të përzgjedhësit gjerman.
“Kur kemi qenë së bashku ka pasur dëshirë që ekipi i vet ta ketë topin, të ketë pasime të shpejta dhe të luajë lojë ofensive. Nuk e di se a ka ndryshuar, por besoj se jo, sepse ai preferon lojën e shpejtë dhe atraktive. Do të më vinte mirë nëse Kosova do ta siguronte pjesëmarrjen me Francon në ndonjë ngjarje të madhe. I kam raportet e mira dhe do të më vinte mirë. Nëse lojtarët e kuptojnë shpejt filozofinë e tij mendoj se edhe suksesi nuk do të mungojë”, ka thënë Bunjaku.
Mendimin se Foda është i duhuri për Kosovën e ndanë edhe Enis Alushi.
“Është i duhuri”, thotë ish-mesfushori.
Kohën më të madhe si trajner, Foda e kaloi në Austri. Drejtoi për shumë vjet Sturm Grazin, me të cilën skuadër fitoi një herë titullin e kampionit dhe Kupën e Austrisë.
Nga viti 2018 deri më 2022 ishte trajneri i Përfaqësueses së Austrisë, të cilën arriti ta kualifikonte në Evropianin e vitit 2020 dhe kaloi fazën e grupeve.
Në ciklin kualifikues ku Austria u kualifikua, në një grumbullim ishte edhe mbrojtësi Albert Vallçi, i cili kërkohej edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës.
Foda e pati vlerësuar Vallçin në të kaluarën sa ishte pjesë e Red Bull Salzburgut. Foda e pati grumbulluar për ndeshjet me Slloveninë e Maqedoninë e Veriut.
Për debutimin e tij, Foda pati thënë se Vallçi “është lojtar që mund të përdoret në mbrojtje dhe ka fleksibilitet dhe se mosha e tij e re e bën lojtar interesant”.
28-vjeçari Vallçi nuk ka luajtur asnjë ndeshje për Austrinë. Aktualisht është pjesë e St. Gallenit të Zvicrës, ku numri i lojtarëve shqiptarë është goxha i madh. Ka edhe lojtarë që mund të jenë interesantë në të ardhmen për Kosovën.
Franco Foda me FFK-në ka firmosur për dy vjet.
57-vjeçari do të debutojë në ndeshjet miqësore të marsit. Më 22 mars, Kosova do të luajë ndaj Armenisë në Jerevan, ndërsa më 26 mars përballet me Hungarinë në Budapest./KOHA.net
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor