Shkurt.ch

“Flüchtlingshilfe” për shpejtimin e procedurës

Meiner: "Kush nuk e fiton azilin, të riatdhesohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qendra e pranimit

Organizata për mbrojtjen e refugjatëve “Flüchtlingshilfe” ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të shpejtojnë procedurat e azilit. Sipas Beat Meiner, sekretar i përgjithshëm i kësaj organizate, zgjidhja e shpejtë e procedurave në rastet kur nuk ka fare gjasa për dhënie të strehimit, do të bënte që shumë azilkërkues të mos merrnin fare rrugën për në Zvicër.

Në një intervistë të botuar në “Neuen Luzerner Zeitung” dhe “St.Galler Tagblatt”, Meiner është ankuar se edhe pse ekzistojnë afatet e procedurave, autoritetet e Zvicrës nuk u përmbahen atyre. Për këtë arsye, ai propozon shqyrtimin e praktikës holandeze, sipas të cilës, nëpunësit dënohen nëse nuk ik përmbahen afatit për përfundimin  e procedurës së azilit.

Për shkak të mungesës së personelit të nevojshëm, Miener ka propozuar që, në fillim të procedurës të angazhohen sa më shumë burime. “Ideale do të ishte të punonin 15 qendra të procedurës, të shpërndara në gjithë vendin. Kush nuk e fiton azilin, do të riatdhesohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qendra e pranimit”, ka thënë Meiner.