Gruaja

Flaka Haliti udhëheq Pavijonin Kosovar në Bienalen e Venedikut

Artistja shqiptare nga Kosova ka përzgjedhur drejtorin e galerisë së njohur “Kunsthalle” të Vjenës, Nicolaus Schafhausen për kurator të pavijonit të Kosovës në Venedik

Ministria e Kulturës e Kosovës i ka besuar artistes Flaka Haliti drejtimin e Pavijonit Kosovar në Bienalen e 56 të Venedikut, ngjarjen më të madhe në fushën e arteve pamore në botë. Flaka Haliti krijon dhe ekspozon artin e saj në trekëndëshin Vjenë-Prishtinë-Munih. Ajo është e njohur sidomos në qarqet artistike të Vjenës dhe për këtë arsye mediet e atjeshme e kanë shënuar këtë nominim të Flakës. Por, një shtytje plotësuese kësaj i ka dhenë edhe fakti se artistja shqiptare nga Kosova ka përzgjedhur drejtorin e galerisë së njohur  “Kunsthalle” të Vjenës, Nicolaus Schafhausen për kurator të pavijonit të Kosovës në Venedik.

“Një procedurë e pazakonshme: Kësaj here nuk është ai që zgjedh artistët, si kurator që është, por atë e ka lutur që t`i qëndrojë pranë artistja Flaka Haliti”, shkruan gazeta Vorarlbereger Nachrichten dhe portale të ndryshme austriake e gjermane. Schafhausen është i njohur edhe për faktin se ka qenë kurator i pavijonit gjerman në Bienealen e 52-të dhe 53-të të Venedikut.

Flaka Haliti, e lindur në vitin 1982 në Prishtinë ka ekspozuar së fundi në galerinë Mumok të Vjenës ndërsa po në Vjenë ajo është duke ndjekur studimet e doktoratës në arte. Ajo është e njohur me punimet e saj ku analizon shoqërinë dhe mediet. Ndërsa përvojat e saj si artiste që frekuenton në mes të kulturave të vendeve të ndryshme kanë qenë edhe motivet për t`ia besuar udhëheqjen e pavijonit kosovar në Venedik.

Schafhausen thotë se e njeh Flakëm nga koha kur ajo ka ndjekur studimet në Städelschule në Frankfurt. “Qasja e saj intelektuale dhe njëkohësisht poetike me prirje për një identitet artistik dhe personal më kanë bërë shumë përshtypje

Para saj Kosova ka marrë pjesë (për herë të parë si shtet) në Bienalen e Venedikut të vitit 2013, ku pavijonin e saj e ka udhëhequr artisti me qëndrim në Gjermani Petrit Halilaj.