Kosova

FFK do të dorëzojë padi për incidentin në Rumani

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se po përgatit komentet e nevojshme dhe do të dorëzojë padi në Federatën Evropiane të Futbollit, UEFA dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, CAS, për shkak të shkeljeve të bëra në ndeshjen kundër Rumanisë.

Ndeshja midis Kombëtares së Rumanisë dhe asaj të Kosovës u ndërpre për 50 minuta, pasi tifozët shpalosën një pano ku shkruhej “Kosova është Serbi”.

“Tifozët e kombëtares së futbollit të Rumanisë, përmes gjuhës së urrejtjes e dëmtimit të imazhit të vetë kombëtares përmes shprehjeve të tilla dhe sjelljeve josportive kanë denigruar ndeshjen e mbrëmshme të futbollit”, thuhet në njoftimin e FFK-së, përcjell albinfo.ch.

Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi se ka kërkuar nga UEFA që të evidentojë të gjitha shkeljet e bëra gjatë kësaj ndeshjeje, duke shtuar se i është drejtuar edhe komisionit disiplinor të UEFA-s “me kërkesën që të merren masat adekuate në raport me brohoritjet nacionaliste, pankartat dhe gjuhën e urrejtjes të shprehur nga tifozët e kombëtares së Rumanisë”.