Integrimi

Fatlumin e refuzuan në punë sepse është njeri me “temperament jugor”

"Pronari i furrës nuk pranon ofertën megjithë nevojën urgjente. Meqenëse ai vetë është tip me temperament, nuk sheh ndonjë shans që të ketë në krah një njeri tjetër me temperament jugu"

Fatlum Dauti (31 vjeçar) ka marrë së fundi një refuzim nga fima ku kishte aplikuar për punë . Ishte gjithçka tjetër veç një refuzimi standard që praktikohet në këto raste.

“Pronari i furrës nuk pranon ofertën megjithë nevojën urgjente. Meqenëse ai vetë është tip me temperament, nuk sheh ndonjë shans që të ketë në krah një njeri tjetër me temperament jugu”, shkruan 20minuten.

Me këto fjalë, një furrë buke nga Zvicra Qendrore e kishte hedhur poshtë aplikimin për punë, të Fatlum Dautit, transmeton albinfo.ch. “Kjo ishte vërtet e rëndë”, thotë Dauti, shqiptari që ka ardhur në Zvicër në vitin 1999. Këtu ai ka përfunduar një praktikë si bukëpjekës në moshën 15 vjeçare dhe që nga ajo kohë ka bërë 15 vjet përvojë profesionale.

31-vjeçari nuk ka marrë kurrë më parë një refuzim të tillë. “Më shqetësoi kur e lexova. Nuk e kuptoj arsyen. Ata as që janë njohur me mua”, përcjell albinfo.ch. Sigurisht, ai u interesua të dinte se çfarë lloj shefi ishte në atë furrë.

Shumicën e kohës Fatlumi është rritur në Zvicër, “kështu që unë do të thosha se kultura ime është më shumë zvicerane”, thekson ai. Thotë se është punëtor i besueshëm. “Unë gjithmonë punoj me një ritëm të shpejtë.”

Furra pranon gabimin

Me kërkesën e gazetës 20 minuten, sekretarja e furrës, e cila dëshiron të mbetet anonime, pranon se refuzimi është shkruar gabimisht.

Autorja e tekstit të refuzimit pranon se nuk kishte menduar për faktin se deklarata mund të interpretohej negativisht, transmeton albinfo.ch. Por, racistë nuk jemi në asnjë mënyrë. “Ne nuk përjashtojmë asnjë kombësi”, ka thënë sekretarja.

Edhe pronari i furrës komenton për incidentin. “Në firmën time  ka të punësuar nga e gjithë bota. Të gjithë janë ata që janë. Unë nuk jam racist”. Ai thotë se nuk e ka refuzuar Dautin për arsyen e përmendur në email.

31-vjeçari, i cili jeton në Cyrih, nuk dorëzohet. Për momentin ai është ende në kërkim të një pune. “Tani mund të lindë ndonjë mundësi e re për mua”, shpreson Dauti, përcjell albinfo.ch. Ai shton madje se nuk do ta refuzonte edhe ndonjë ofertë nga furra e përmendur.