Lajme

Erdogan: Kosovë-Turqi, jemi një

Kryeministri turk, Recep Erdogan tha se në Kosovë e ndjen veten si në shtëpinë e tij. "Sa herë vij këtu shoh përparime të vazhdueshme në Kosovë dhe ndjehem mirë", tha ai

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e ka quajtur Kosovën si shtetin e dytë të tij, prandaj ka garantuar mbështetje e Ankarasë zyrtare në të gjitha fushat. Ai tha se sa herë vjen në Kosovë, sheh ndryshim të mëdha, prandaj i gëzohet zhvillimit të Kosovës.

Këto komente kryeministri Erdogan i ka bërë gjatë inaugurimit të Terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Kryeministri turk dhe ai Shqipërisë, Edi Rama ka qenë mysafirë special të kryeministrit Hashim Thaçi, nikoqirit të inaugurimit.

Në ceremoni kanë marrë pjesë një numër shumë i madh pjesëmarrësish, përfshirë edhe diplomatë dhe përfaqësuesit e BE-së që janë të akredituar në Kosovë.

“Unë kur e vizitojë Kosovën e ndjej vetën si në shtëpinë time. Sa herë vij këtu shoh përparime të vazhdueshme në Kosovë. Turqia ka qenë ndër të parat shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Kosovën”, ka thënë Erdogan.

Kryeministri turk ka folur edhe për heroin kombëtar Adem Jasharin për të cilin ka thënë se ai është “edhe në zemrat e turqve”, ndërsa e ka kujtuar edhe kosovarin Mehmet Akif Ersoy, krijuesi i himnit turk. Madje në ceremoni recitoi edhe disa vargje të tij.

“Kosova është anëtarësuar në shumë institucione evropiane dhe botërore, çka në gëzon”, tha Erdogan, i cili shfaqi shpresën se Kosova e njohur nga mbi 100 shtete, shumë shpejt do të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Kurse dialogun që po zhvillojnë Kosova dhe Serbia, ai e ka parë në funksion të thellimit të paqes e stabilitetit në rajon. “Për ne Kosova është një vend me të cilin kemi histori dhe kulturë të përbashkët, një vend mik dhe vëlla dhe gjithashtu populli i Kosovës është vëlla i popullit turk”, tha në fund Erdogan.

Punimet në terminalin e ri i ka bërë konsorciumi turko-francez “Limak & Çalik”, Ky konsorcium ka privatizuar edhe distrubcionin e Koorporatës Energjetike të Kosovës. Prandaj bizneset turke, janë të pranishme në Kosovë edhe në fushën e mjekësisë dhe edukimit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Kosova me zhvillimin e saj po bëhet një shembull admirues për gjithë rajonin. Edhe Rama, sikurse edhe Thaçi, kryeministri Erdogan e kanë quajtur “vëlla”.

“Ashtu sikundër askush ata që e jetuan emocionin e jashtëzakonshëm të ditës së pavarësisë, nuk do ta harroj se bashkë me shqiptarët kudo që ishin, kryeministri Erdogan dhe qeveria e tij ishin mbledhur dhe ndiqnin drejtpërdrejtë përmes televizionit të gjitha momentet e jashtëzakonshme të asaj dite të shënuar në historinë e popullit shqiptar”, tha Rama.

Mirëpo edhe Erdogan i ka quajtur “vëllezër” dy kryeministrat. Kurse nikoqiri i këtij përurimi, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka falënderuar homologët Erdogan dhe Rama, që ishin udhëtarët e parë të Aeroportit të Prishtinës. Edhe Thaçi të dy i quajtur vëllezër.

“Këtë infrastrukturë moderne, këtë investim publiko privat, që arrin vlerën në mbi 100 milionë euro ta shndërrojmë në një mundësi të re të lidhjes së Kosovës me botën. Kosova është gati për botën por edhe bota i ka hapur dyert për Republikën e Kosovës në mënyrë meritore”, tha kryeministri Thaçi.

“Pra, ta shndërrojmë Kosovën në një pikë lidere dhe qendër rajonale të aviacionit dhe jo vetëm kaq”, tha më tej ai.

Aeroport “Adem Jashari” i është dhënë me koncesion konsorcumit turko-francez “Limak & Çalik”, në vitin 2010, për periudhën 20 vjeçare. Terminali ka një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë ndërkaq kostoja e investimeve është thënë të jetë rreth 130 milionë euro.

Ndryshe, kryeministri turk e ka vazhduar vizitën edhe në Prizren, ku i është bërër një pritje e veçantë.

“I nderuari kryeministër Erdogan, vëlla Erdogan, mirë se ke ardhur në shtëpinë tuaj, në qytetin tuaj, në mesin e njerëzve tuaj, në qytetin e Prizrenit. Këta janë njerëz të mirë, këta janë njerëz të punës, këta janë njerëzit e dijës, këta janë njerëzit mikpritës, këta janë njerëzit e bujarisë”, ka thënë Hashim Thaçi gjatë ceremonisë në Prizren.

Kryeministri Thaçi tha më tej se marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë do të jenë të përjetshme, të shkëlqyeshme, “ashtu si do të jetë komuniteti turk në Kosovë i respektuar në kuptimin më afirmativ dhe të barabartë”.

“Në Kosovë nuk do t’i ndajmë qytetarët në etni, të gjithë jemi kosovar, Kosova është atdheu i të gjithëve. Ne po ndërtojmë autostrada të reja, aeroporte të reja, po e ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën demokratike, Kosovën e mundësive, Kosovën evropiane”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa kryeministri turk Erdogan tha para qytetarëve në Prizren se lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë janë të forta.

“Jemi njerëzit me një kulturë, dhe një histori të përbashkët. Mos e harroni këtë. Turqia është Kosovë, dhe Kosova është Turqi”, ka thënë Erdogan, sipas të cilit, Turqia, dëshiron paqe në Ballkan.

“Ne duam që në këtë rajon të zotëroj, paqja, mirësia, solidariteti. Ne duam që të kemi diversitete dhe ato të konsiderohen si kulturë. E kaluara do të mbetet mbrapa”, ka thënë Erdogan para të pranishmëve në Prizren, ku edhe është qytetar nderi.