Gruaja
E rritur në Austri, mbaroi studimet në Shqipëri
Shumë të rinj shqiptarë ëndrrojnë t’i mbarojnë studimet jashtë vendit, diku në Perëndim. Por Mimoza Qehaja Deliqi, e rritur dhe e shkolluar në Vjenë të Austrisë, e kishte një tjetër ëndërr: të studiojë në Kosovë apo Shqipëri, dhe ia doli.
Sot kjo punon shumë dhe përpiqet t’i vazhdojë prapë studimet Master, duke mbledhur energji dhe motivim nga një burim i fuqishëm që quhet “dashuria për familjen” dhe thotë: “Dua të punoj aq shumë sa të arrij t’i krijoj kushtet për t’ia mundësuar bashkëshortit tim vazhdimin e studimeve të inxhinierisë, të cilat i ndërpreu për arsye të një sëmundjeje të rëndë, e cila na preku të gjithë familjen thellësisht”.
Mimoza QehajaDeliqi është një bashkëshorte, amvise dhe nënë e dy vogëlushëve, e cila jeton me familje në Dietikon të Cyrihut. Për momentin po e kalon një periudhë të vështirë në jetën e saj, por vazhdon të qëndrojë e fortë dhe ambicioze.
Jeton dhe punon në Hirslanden Klinik në Kantonin e Cyrihut. E lindur në Kamenicën e Kosovës, në moshën katërvjeçare, në vitin 1992 kishte emigruar bashkë me prindërit e saj të përndjekur politikisht nga regjimi serb në Vjenë të Austrisë. Atje Mimoza kishte jetuar deri para tre vjetësh.
Albinfo.ch: Na trego, Mimozë, pak për rrugëtimin e shkollimit tënd?
Mimoza Deliqi: Në Vjenë të Austrisë e kam mbaruar gjithë shkollimin tim, që nënkupton parashkollorën, shkollimin 9-vjeçar dhe pastaj shkollën për punë sociale trivjeçare. Pas mbarimit të kësaj shkolle, e kam dhënë një provim për edukatore të specializuar për fëmijë.
Por, pas kësaj, ambicia ime ka vazhduar tutje dhe kam vendosur të regjistrohem në shkollën e mjekësisë, të cilën e kam mbaruar në Wilhelminen Spital në Vjenë dhe atje kam diplomuar si infermiere e përgjithshme e mjekësisë.
Gjatë shkollimit të mjekësisë e kam njohur bashkëshortin tim. Kemi filluar një bashkëjetesë, gjatë së cilës na ka lindur djali. Pas diplomimit, etja për shkollimin e mëtejshëm prapë ka vazhduar. Ëndrra ime e përhershme ka qenë të bëj studime universitare, por jo në Perëndim, por në Kosovë apo Shqipëri, sidoqoftë në gjuhën shqipe.
Albinfo.ch: A e njihje ti gjuhën shqipe atë kohë?
Ne në shtëpi me prindërit kemi folur gjithmonë në gjuhën amtare. Katër vjet e kam ndjekur mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Vjenë, por prapë shqipen „me gramatikë“ nuk e kam njohur ashtu sikur gjuhën gjermane, pasi që tërë shkollimin e kam bërë gjermanisht. Vullneti i brendshëm për ta njohur me tepër mentalitetin, kulturën dhe sistemin e shkollimit shqiptar ka qenë aq i madh, saqë kam bërë çmos që ta bind bashkëshortin tim që të më përkrahë në realizimin e kësaj ëndrre. Këtë e kam fituar, pasi që bashkëshorti im është një njeri i mrekullueshëm. Ne shkojmë për çdo vit më së paku dy herë në Kosovë dhe atje jam informuar për mundësitë e studimit, por në fund kam vendosur për Tiranën. Në ndërkohë na ka lindur edhe vajza.
Universiteti Kristal në Tiranë është një universitet jopublik i akredituar, ku unë kam mbaruar studimet Bachelor në Menaxhmentin e shëndetit publik. Normalisht, studimet janë këtu të rregullta, por mua ma kanë mundësuar përgjegjësit e këtij universiteti që studimet t’i bëj me korrespondencë. Kështu kam ikur për çdo muaj 4 ditë nga Vjena në Tiranë.
Albinfo.ch: Cilat kanë qenë vështirësit në të cilat ke hasur gjatë studimit në Tiranë?
Mimoza Deliqi: Së pari ka qenë gjuha, sepse ne e flasim gjuhën me dialektin kosovar. Për ta mësuar një lëndë unë harxhoja shumë më tepër kohë se një kolege imja. Pastaj nuk kishte aeroplan rregullisht nga Vjena në Tiranë, por duhej të shkoja përmes Prishtinës. Bileta ka kushtuar shumë, rreth 700 franga të Zvicrës, shkuarje e ardhje, plus hoteli dhe të tjerat shpenzime. Në Vjenë bashkëshorti me mamin dhe motrën time janë kujdesur për fëmijët dhe kjo ka qenë po ashtu një nga vështirësitë të cilat është dashur të menaxhohen.
Albinfo.ch: Si të kanë pritur shqiptarët dhe a ke parë ndonjë diferencë në mes të Vjenës dhe Tiranës sa i përket mentalitetit dhe kulturës?
Shqipëria është një shtet shumë i bukur, me vende të mrekullueshme. Njerëzit janë shumë të mirë dhe të ngritur intelektualisht, janë mikpritës. Profesorët kishin aq shumë durim me mua, saqë m’i përsëritnin gjërat që nuk i kuptoja disa herë, saqë mundoheshin bile edhe në gjuhën angleze, vetëm dhe vetëm që ta kuptoja mësimin. Në Vjenë njerëzit janë më të mbyllur dhe më të ftoftë. U preferoj të gjithë të rinjve ta provojnë këtë rrugë që e bëra unë, dhe nuk do të dëshpërohen.
Albinfo.ch: A ka pasur të tjerë studentë nga jashtë si rasti yt, apo ke qenë e vetmja ?
Në fakultetin tim isha e vetmja, por në Ekonomi e kam njohur një djalë të Cyrihut, me prejardhje nga Gjakova, i cili mbaronte po ashtu studime me korrespondencë.
Albinfo.ch: A mendon që edhe të tjerët shqiptarë që jetojnë në Perëndim mund të arrijnë suksese duke mbaruar studime te ne, në Kosovë apo Shqipëri ?
Mimoza Deliqi: Absolutisht po. Unë besoj që çdo shqiptar dhe shqiptare nëse ka vullnet dhe dëshirë mund të arrijë suksese dhe çdo gjë në jetë. Unë mendoj që nuk duhet shumë inteligjencë, vetëm punë dhe dëshirë. Unë në Tiranë kam diplomuar me notën mesatare 9.5 dhe kjo e dëshmon këtë që e them.
Albinfo.ch: Cilat janë planet tua në të ardhmen ?
Mimoza Deliqi: Për momentin e kemi një problem në familje. Bashkëshorti im ka një vit që vuan nga kanceri limfatik dhe është në repartin tim, ku punoj unë, pacient imi. Shërimi i tij është primar për mua në këtë moment, por sa i përket planeve, mendoj të vazhdoj një Master në mjekësi, të jem aktive në shëndetin publik dhe e dobishme për shqiptarët në Zvicër. Kam dëshirë ta udhëheq një shtëpi për pleq për shqiptarë, sepse e kam udhëhequr 2 vjet shtëpinë e pleqve “SIKNA Stiftung” në Cyrih.
Faleminderit nga zemra zonjes Deliqi, e cila ndau kohë për ne duke na rrëfyer rrugëtimin e saj me një buzëqeshje dhe shpresë.
Të tjera nga Gruaja
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor