Shkurt.ch

Dy miliardë franga për ekonominë zvicerane

Këshilli Federal zviceran ka prezantuar të mërkurën një plan veprimi për të dobësuar valutën shtetërore.

Me këtë veprim shteti ka paraparë të investojë 2 miliardë franga, masa këto të marra për  një afatshkurtër dhe afatmesëm për të mirën e eksportit dhe turizmit. Këtë e ka bërë të ditur, ministri i ekonomisë, Johann Schneider-Ammann.

„Këshilli Federal ka marrë një hap të guximshëm“, tha ministri i ekonomisë Ammann. Detaje tjera nuk janë dhënë për këto masa të veprimit të qeverisë zvicerane. Ai ka thënë se Zvicra është në një situatë specifike ekonomike.”Ne ndihemi se me të vërtet nuk jemi në krizë. Por industria e eksportit është kërcënuar. Ne bëjmë një politikë që ky vend ti ruaj vendet e punës”, ka deklaruar Ammann.

Paketa e detajuar për të stabilizuar ekonominë zvicerane është duke u përgatitur nga një grup ekspertëve, i udhëhequr nga Sekretariati i Shtetit për Çështje Ekonomike (SECO). Paketa në fjalë do të paraqitet në Parlament gjatë sesionit të vjeshtës.

Schneider-Ammann gjithashtu ka pohuar se Këshilli Federal ka mirëpritur masat e fundit të marra nga Banka Kombëtare e Zvicrës.