Kosova

Die Zeit: Kosova, pa udhëheqje në kohë krize

"Mbrapa Kryeministrit Kurti qëndron Bashkimi Evropian dhe mbrapa Presidentit Hashim Thaçi janë Shtetet e Bashkuara"

Javorja prestigjioze politike gjermane “Die Zeit” ka botuar sot në analizë të autorit Michael Thumann, ekspert i Europës juglindore, lidhur me zhvillimet politike më të fundit në Kosovë.

albinfo.ch u sjell këtë analizë, të përkthyer në gjuhën shqipe

Qeveria e parë evropiane që është rrëzuar nga virusi korona është ajo e Kosovës. Në kryeqytetin e saj, Prishtinë, kriza politike filloi me pyetjen nëse caktimi i një ore policore do të ishte përgjigja e duhur për përhapjen e koronavirusit apo për këtë duhet të deklarohet gjendje e jashtëzakonshme.

Papritur gjithçka u shkërmoq, ajo që në fakt e mbante të përçarë Kosovën për një kohë të gjatë: E majta kundër të djathtës, luftëtarët antikorrupsion kundër klaneve  të vjetra klienteliste, kryeministri i ri kundër presidentit të lidhur prej një kohe të gjatë me pushtet. Në fund, parlamenti rrëzoi kryeministrin e ri Albin Kurtin – dhe Kosova tani në mes të krizës së koronavirusit është pa një qeveri të ligjshme.

Dikush mund ta kuptojë këtë si një farsë të Evropës Juglindore, si një luftë e brendshme për pushtet në një shtet ballkanik me rreth 1.8 milion banorë. Por është shumë më tepër se kaq, sepse mbrapa Kryeministrit Kurti qëndron Bashkimi Evropian dhe mbrapa Presidentit Hashim Thaçi janë Shtetet e Bashkuara, shkruan Die Zeit, transmeton albinfo.ch. Bëhet fjalë pra për pushtet, për atë se kush e ka fjalën kryesore në Evropën Juglindore dhe për gjeopolitikë në një rajon të tronditur nga krizat dhe luftërat.

Kërcënime të padeklaruara

Një figurë qendrore në këtë mosmarrëveshje është ambasadori amerikan në Berlin dhe drejtori i agjencisë së inteligjencës amerikane Richard Grenell. Ky person, “njeri për shumë raste” u bë në vitin 2019i dërguar special i Donald Trumpit për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Që atëherë, Grenell është në kërkim të një suksesi të politikës së jashtme për presidentin e tij në vitin e zgjedhjeve, në SHBA. Trump mund ta përdorë atë me urgjencë pas humbjeve në luftën me Korenë e Veriut dhe Iranin.

Grenell ka punuar në një përafrim të qeverive të Prishtinës dhe Beogradit, të cilat janë në mosmarrëveshje që prej shkëputjes së Kosovës nga Serbia, para më shumë se njëzet vitesh. Serbia bllokon sistematikisht pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. BE ka ndërmjetësuar pa sukses për shumë vite. Grenell u përpoq të gjente një zgjidhje të shpejtë me mjetet e preferuara të Trumpit përmes presionit të lartë dhe kërcënimeve të padeklaruara, shkruan Thummann, përcjell albinfo.ch. Kosova duhej të hiqte taksat për mallrat serbe për të mundësuar një marrëveshje me Beogradin. Kryeministri i rrëzuar, Kurti, nga ana tjetër, nuk pranonte të hiqte dorë nga taksat që donte t`i kishte si një depozit në dorë për pazaret e ardhshme. Prandaj Grenell bëri bashkë Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi me Presidentin serb Aleksandar Vučić. Thaçi ishte një udhëheqës i lufte dhe dyshohet për korrupsion në shkallë të lartë. Me ndihmën e tij Grenell donte të anashkalonte Kryeministrin Kurti.

Grenell dhe Thaçi gjithashtu supozohet se duan të realizojnë një shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë. Bëhet fjalë për vendbanimet shqiptare në Serbi dhe vendbanimet serbe në Kosovë. Amerikanët mohojnë se ata kanë plane të tilla, përcjell albinfo.ch pohimin e ekpsertit gjerman. Nga ana tjetër, për Thaçin thuhet se ka biseduar më herët me përfaqësuesit serbë për këtë çështje

Një shkëmbim territori është i pakonceptueshëm për Albin Kurtin dhe BE-në. Kjo do të kthente politikën e BE-së, por edhe linjën e Qeverisë Gjermane me kokë poshtë. Brukseli dhe Berlini mbështeten në kufijtë e përshkueshëm dhe mbrojtje të fortë të pakicave dhe jo në fortifikimin brenda kështjellave etnikisht të pastruara. Prandaj, ato (BE dhe Berlini) kanë frikë se ky parim përfundimisht do të destabilizojë Bosnjën dhe pjesët e tjera të Evropës Juglindore, transmeton albinfo.ch. Në shekullin e 20-të, shkëmbimi i territoreve ka qenë një mjet preferuar i shteteve nacionale dhe ka shkaktuar shpërnguljen dhe arratisjen e miliona njerëzve.

BE e ka mbështetur Albin Kurtin në luftën për pushtet në Prishtinë, gjithashtu edhe për faktin se ai i ka shpallur luftë korrupsionit të shfrenuar. Fatkeqësisht, solidarizimi i plotë me kryeministrin erdhi pak vonë. Kurti u rrëzua. BE tani ka caktuar si  konkurrent për Grenellin, përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajčak. Ai ka qenë Ministër i Jashtëm i Sllovakisë dhe Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i KB. Kjo mund të ishte puna e tij më e vështirë deri më tani.

Kjo për faktin se amerikanët janë të vendosur të prodhojnë një “letër serbo-kosovare”, diçka që nevojitet për galerinë e trofeve të Trumpit. Ambasadori amerikan në Prishtinë i pati bërë thirrje Parlamentit që të rrëzonte Kurtin, duke bërë një ndërhyrje të pacipë në punët e brendshme të vendit. Richard Grenell tani e sheh të dobësuar një kundërshtar të rëndësishëm të planeve të tij (Kurtin).

Grenell nuk duket se mërzitet shumë për faktin se tani Kosovës i mungon një qeveri legjitime në mes të krizës së koronavirusit, shkruan die Zeit, transmeton albinfo.ch. Zgjedhjet e reja nuk mund të bëhen aktualisht. Në vend të kësaj, vendit do t`i duhet të manovrojë përmes krizës së koronavirusit me politikanë të përfolur dhe pa një lidership të qartë. Dhe nëse kjo dështon, sigurisht që është problem i BE-së.