Shkurt.ch

“Derri në xhami”, problem të zbulohet autorësia

Dy javë pas rastit të ndodhur në Grenchen, policia e Kantonit të Solothurnit deklaron se zbardhja e rastit po paraqitet si mjaft e vështirë

Në truallin ku ishte planifikuar të ndërtohej xhamia e shqiptarëve të Grenchenit (Solothurn), dy javë më parë qenë hedhur kërma dhe gjak derri. Synimi i atyre që kishin bërë këtë veprim ishte të pengonin ndërtimin e xhamisë.

Dy javë më vonë, policia e Kantonit të Solothurnit deklaron se zbardhja e rastit po paraqitet si mjaft e vështirë. “Ende nuk kemi në dorë asnjë indikacion lidhur me autorësinë e rastit. Për këtë arsye ende nuk është ushtruar asnjë masë arresti e as marrje në pyetje”, ka thënë një zëdhënëse për gazetën “Aargauer Zeitung”.

Sipas saj, letra përmes të cilës dorasit kishin informuar policinë për veprën e bërë, është e papërdorshme për hetimet, për shkakun se ka kaluar nëpër shumë duar. Policia nuk ka mundur të sigurojë shenja të besueshme të gishtave. Në pjesët e kafshëve të ngordhura është po ashtu tepër e vështirë të gjinden shenja identifikuese.

Lidhur me rastin është ngritur një padi kundër autorëve të panjohur. Veprat penale për të cilat është bërë padia janë: tentim për dëmtim të lirisë së besimit dhe të kulturës, shkelje të rregullores mbi asgjësimin e nënprodukteve me bazë shtazore dhe kundër ligjit mbi sëmundjet e kafshëve.