Shkurt.ch

Dënohet shitësi i tankeve: jetonte nga ndihmat sociale!

Ai kishte provuar të eksportonte drejt Pakistanit 736 tanke të dala nga përdorimi të tipit M113, por qeveria e Zvicrës e kishte penguar

Pakistanezi Ali S. , në emër të ndihmave sociale për familjen e tij 6 anëtarëshe ka marrë nga shteti 9121.70 franga në muaj. Marrë në tërësi, ai ka përfituar 544 mijë franga. Por kjo nuk e ka penguar atë që të merret me tregti të armëve. Ali S. në vitin 2006 kishte provuar të eksportojë drejt Pakistanit 736 tanke të dala nga përdorimi të tipit M113, por qeveria e Zvicrës e kishte penguar ta bënte këtë.

Dje, pakistanezi 58 vjeçar qëndronte në bankën e zezë, para trupit gjykues të Gjykatës së Qarkut të Cyrihut. Prokurorja ka kërkuar 3 vjet e gjysmë burg për veprën penale të mashtrimit, ndërsa mbrojtja nuk e konsideron atë aspak fajtor. Madje, ai kërkon 3 milionë franga për klientin e tij, pasi që ai, gjatë tërë kohës sa ka vazhduar procedura, nuk ka mundur të punonte.

Vendimi i gjyqit ka rënë diku në mes: Ali S. është dënuar me 24 muaj burg me kusht për mashtrim të rëndë he për falsifikim dokumentesh.