Rumani-Kosovë, do të jetë 90-minutëshi më i rëndësishëm i këtyre kualifikimeve për Euro 2024 për “Dardanët”, pasi asnjë rezultat tjetër përveç fitores nuk do t’i kryente punë djelmoshave tanë.
Barazimi me Zvicrën në sekondat e fundit me golin që e shënoi Vedat Muriqi në stadiumin “Fadil Vokrri” mund të jetë si një katapultë për Kosovën që të ndryshojë historinë e grupit tonë, edhe pse ende në këto kualifikime “Dardanët” nuk e kanë shijuar fitoren e parë.
Trepikëshi eventual ndaj Rumanisë do të ishte vital për të shpresuar në mrekullinë dhe pozitën e dytë në grup, edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë, sepse e njëjta do të vlente edhe për kundërshtarët tanë, të cilët do të bënin një hap gjigant drejt kualifikimit në Europian.
Pjesa e dytë ndaj Zvicrës dha sinjale të mira dhe pozitive se Kosova mund të arrijë triumfin në Rumani, për shkak se u pa një agresivitet më i madh, presing i lartë dhe lojë shumë më e shpejtë, mirëpo sigurisht se trajneri Gliha e pa qartë se kush meriton të jetë titullarë të martën mbrëma, me disa ndryshime në mesfushë që do të jenë të pashmangshme, sepse të jemi real, Valon Berisha nuk po mundet të japë maksimumin, dhe vendin e tij pritet ta zërë Florent Muslija, transmeton albinfo.ch.
Një ndryshim tjetër eventual mund të jetë edhe Bernard Berisha me Edon Zhegroven, edhe pse ky i pari nuk ishte i keq në ndeshje ndaj Zvicrës, pavarësisht se i rikthyer në përbërje pas më shumë se dy viteve. Pjesa tjetër e skuadrës nuk pritet të preket, nëse gjithçka shkon sipas planit, pra të mos ketë ndonjë lëndim.
Definitivisht ndeshja në Rumani do të jetë vendimtarja për Kosovën, gjithmonë duke menduar në fitore dhe ndonjë gabim eventual të rumunëve në vazhdim të kualifikimeve, kështu që futbollistët tanë, duke e ditur rëndësinë e kësaj përballje, besohet se do ta japin më shumë se 100% nga vetja e tyre, që ëndrrën e bukur, të quajtur Kampionat Evropian, ta vazhdojmë edhe më tutje.