Lajme

CVP nominon Franklin Munishin për kreun e bordit të shkollave në Wil

Ndër 20 kandidatët për parlament janë edhe katër me prejardhje shqiptare: Prend Berisha, Sofije Krejci-Lutiq, Valentina Munishi dhe Ardijan Rrudhani

Udhëheqja partiake e CVP të qytetit Wil ka përfunduar nominimet për zgjedhjet parlamentare në nivel komune që do të bëhen më 27 shtator 2020. Ajo me këtë rast ka prezantuar kandidatët për këshillin e qytetit, (ekzekutivin), bordin e shkollave dhe parlamentin ose asamblenë e qytetit, shkruajnë hallowil.ch. dhe wilernachrichten.ch.

Përveç 20 kandidatëve për parlamentin e qytetit, CVP ka nominuar edhe anëtarët e saj për postet më të larta: Hans Mäder për kryetar të qytetit, Beat Gisler për anëtar të ekzekutivit dhe presidenti i partisë në nivel qyteti, Franklin Munishi për këshillin e shkollave.

Munishi, punon si shef i kontabilitetit në Cyrih, kryeson degën e CVP-së në Wil dhe është po ashtu asamblist në këtë komunë, shkruan albinfo.ch. I pyetur nga hallowil.ch për arsyen e kandidimit të tij pikërisht për postin e kreut të këshillit të shkollave, ai thotë: “Arsyeja kryesore përse unë dua të jem në krye të këtij bordi është se jam baba i katër fëmijëve që ndjekin shkolla të ndryshme në qytetin Wil, nga klasa e dytë deri në shkollë të mesme”.

Ai po ashtu është i bindur se mund të sjellë një perspektivë të re në sistemin shkollor dhe kështu të përfaqësojë mirë çështjet e shkollës.

Bordi i CVP Wil garon në zgjedhjet parlamentare me një listë të plotë, prej 20 kandidatësh. Përveç tetë kandidatëve të mëparshëm, CVP prezanton një listë të ekuilibruar të kandidatëve, përcjell albinfo.ch. Me 6 gra dhe 14 burra, duke përfshirë anëtarë të angazhuar të CVP të rinj, kjo parti synon ruajtjen e të paktën nëntë vendeve që ka aktualisht në asamble.

Përveç Munishit që garon për postin e përmendur, ndër 20 kandidatët për parlament janë edhe katër me prejardhje shqiptare. Ata janë: Prend Berisha (aktualisht asamblist), Sofije Krejci-Lutiq, Valentina Munishi dhe Ardijan Rrudhani.