Jeta në Zvicër

Çifti shqiptar: 15 000 franga, për të kryer haxhin!

"Janë 12 000 franga, të cilat i kemi paguar për rrugën, hotelin bashkë me ushqimin dhe shëtitjet e tjera atje. Nëse kësaj ia shtojmë edhe dy ose tre mijë franga që do t’i shpenzojmë atje, për dhurata dhe gjëra të tjera, atëherë kjo shumë arrin deri në 15 000 chf, për ne të dy", u shpreh Avdi Hasani, një shqiptar i besimit mysliman, i cili udhëtonte për në Mekke bashkë me bashkëshorten e vet

Ditët në vijim e gjithë vëmendja e myslimanëve të mbarë botës është përqendruar në Mekka, Arabinë Saudite, aty ku për çdo vit udhëtojnë rreth 3 milionë njerëz për të kryer adhurimin e pestë dhe të fundit, me të cilin obligohet çdo mysliman, i cili ka mundësi shëndetësore dhe financiare. Në një klimë të nxehtë dhe temperatura të larta, ky numër i madh i vizitorëve duhet të ndjekin një program shumë preciz të paraqitur nga organet kompetente të Arabisë Saudite.

Ceremonitë e haxhit pritet të fillojnë diku kah mesi i javës që vjen, ndërsa tani vetëm se numri më i madh i vizitorëve nga e gjithë bota janë vendosur në hotelet e shumta rreth e përqark Qabes, shtëpisë së Zotit.  Agjencitë e ndryshme që veprojnë nga Zvicra i kanë filluar fluturimet, ndërsa disa prej tyre fluturimet e para pritet t’i realizojnë ditët në vijim.

Mësojmë se nga Zvicra udhëtojnë rreth 1200 haxhilerë, të cilët tashmë janë pajisur me vizat e posaçme për këtë udhëtim.  Në mesin e tyre janë mbi 500 shqiptarë, të cilët udhëtojnë me agjensi të ndryshme udhëtimi.

Çmimet e larta, të cilat rriten për çdo vit, e bëjnë të vështirë kryerjen e këtij obligimi fetar, madje edhe për një numër të madh të myslimanëve që jetojnë në Zvicër. Një çift shqiptar, të cilët këtë vit do të udhëtojnë nga Zvicra, thanë për albinfo.ch se për të kryer këtë ibadet kanë pasur nevojë të kursejnë për një kohë të gjatë. “Janë 12 000 franga, të cilat i kemi paguar për rrugën, hotelin bashkë me ushqimin dhe shëtitjet e tjera atje. Nëse kësaj ia shtojmë edhe dy ose tre mijë franga që do t’i shpenzojmë atje, për dhurata dhe gjëra të tjera, atëherë kjo shumë arrin deri në 15 000 chf, për ne të dy”, u shpreh Avdi Hasani, një shqiptar i besimit mysliman, i cili udhëtonte për në Mekke bashkë me bashkëshorten e vet.
Irfan Agushi