Shkurt.ch

Christophe Blocher pranon gabimet e SVP-UDC-së

Në medien e tij «Teleblocher», të dielën tribuni i Cyrihut, Christophe Blocher, është prononcuar rreth humbjes së peshës së SVP-UDC-së në Zvicër.

Christophe Blocher nuk përjashton mundësinë që SVP-UDC të ketë bërë gabime në fushatën e fundit zgjedhore federale, mirëpo, sipas tij, gabimet në fjalë lehtë mund të korrigjohen.

«Është hera e parë që për 20 vjet humb UDC-ja», ka pranuar ish-këshilltari federal, Christophe Blocher.

Sipas politikanit nga Cyrihu, nga faktorët e mundshëm të kësaj disfate mund të jenë «konforti, neglizhenca e bollëku dhe se objektivi i 30% ishte ndoshta paksa arrogant dhe i tepruar».

Mirëpo, për Ch. Blocher, disfata duhet t’i shërbejë partisë së tij për t’i korrigjuar gabimet e bëra në fushatën zgjedhore, gabime jo të natyrës përmbajtësore, por të stilit të fushatës.

SVP-UDC ka humbur 8 vende në Parlamentin federal, ose 2.3% të votave më pak se nga zgjedhjet e kaluara.