Tematike

Çdo muaj nga një hap drejt zbutjes, më 1 mars hapen dyqanet, më 1 prill, restorantet

Qeveria propozon një hapje të kujdesshme, hap pas hapi, që do të fillojë nga 1 marsi. Së pari, duhet të mundësohen aktivitetet me një rrezik të ulët të transmetimit të virusit

Sot në orën 15 në një konferencë për media Presidenti Federal Guy Parmelin, Ministri i Brendshëm Alain Berset dhe Ministri i Financave Ueli Maurer po informojnë për planet e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Mediat zvicerane janë duke e transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë konferencë të rëndësishme.

Këshilli Federal është takuar sot, para kësaj konference për të diskutuar se si të procedohet më tutje me pandeminë e koronës, shkruan albinfo.ch.

Ndërkohë, Këshilli Federal ka shpallur propozimet aq të pritura lidhur me qasjen ndaj pandemisë.

Në vazhdim, masat e propozuara:

Qeveria propozon një hapje të kujdesshme, hap pas hapi, që do të fillojë nga 1 marsi. Së pari, duhet të mundësohen aktivitetet me një rrezik të ulët të transmetimit të virusit.

Këhtu, nga 1 marsi do të rihapen dyqanet, muzetë dhe sallat e leximit të bibliotekave ashtu si edhe zonat në natyrë të kopshteve zoologjike, kopshteve botanike dhe mjediseve sportive si dhe ato të kalimit të kohës së lirë.

Një hap i dytë i hapjes do të zhvillohet më 1 prill. Aty përfshihen ngjarjet kulturore dhe sportive me audiencë, brenda një kornize shumë të kufizuar, si sportet në ambiente të mbyllura ose hapja e tarracave të restoranteve, transmeton albinfo.ch. Parakushti për këtë është që situata epidemiologjike ta lejojë një gjë të tillë.

Në vendimin e tij për zbutje, Këshilli Federal bazohet në kriteret si: shkalla e pozitivitetit duhet të jetë nën pesë për qind, shkalla e mbushjes së njësive të kujdesit intensiv me pacientë me Covid-19 nën 25 për qind dhe numri mesatar i riprodhimeve gjatë 7 ditëve të fundit nën 1. Po kështu, incidenca 14-ditore më 24 mars nuk duhet të jetë më e lartë sesa kur bëhet hapi i parë i zbutjes, më 1 mars.

Pas konsultimit me kantonet, Këshilli Federal do të vendosë mbi hapin e parë të hapjes dhe rreth asaj se si të veprojë në mbledhjen e tij që mbahet më 24 shkurt.

Siç është raportuar tashmë, qeveria përballet me një presion të madh nga ekonomia por dhe nga partitë djathtiste për të zbutur masat nga 1 marsi. Federata Zvicerane e Tregtisë  i bën thirrje Këshillit Federal të heqë bllokimin më 1 mars.

Nga ana tjetër, Task Forca e Koronës ka paralajmëruar të martën kundër optimizmit të tepruar që mbështetet në rënien e numrave, transmeton albinfo.ch. Ekspertët janë ende të shqetësuar për rrezikun nga variantet e reja, më ngjitëse të virusit.