Shkurt.ch

Burg i përjetshëm për kosovarin që ka vrarë ish gruan

Vepra është cilësuar si vrasje e rëndë, pasi është bërë me thikë para syve të djalit 7 vjeçar të bashkëshortit të ri të gruas të vrarë

Sot një Gjykatë e Munihut ka dënuar një shqiptar 62 vjeçar të Kosovës me burg të përjetshëm për vrasjen e ish gruas së tij. Vepra penale e kryer është cilësuar si vrasje e rëndë, pasi që është kryer me thikë para syve të djalit 7 vjeçar të bashkëshortit të ri të gruas tashmë të vrarë. Fëmija ka pësuar tronditje të rëndë ndërsa është traumatizuar edhe bashkëshorti aktual i gruas.

Këto rrethana do ta bëjnë shumë të vështirë lirimin me kusht të tij pas 15 vitesh vuajtje dënimi, siç praktikohet në drejtësinë gjermane në rastet e dënimeve të përjetshme.

Çifti ishte ndarë në mars të vitit 2011. Ndërsa vetëm një muaj më vonë gruaja e ndarë qe martuar me të dashurin e saj që e kishte njohur në Kosovë dhe e kishte sjellë atë në Gjermani.

Kjo martesë sipas ish bashkëshortit ka shërbyer si motiv për hakmarrjen e kryer më 23 korrik 2011 në oborrin e banesës në Petershausen. Në momentin kur ish bashkëshortja kishte zbritur nga vetura bashkë me fëmijën 7 vjeçar, 62 vjeçari e godet atë dy herë me thikë. Me këtë rast i kishte shkaktuar plagë në mushkëri dhe në zemër, dhe nga gjakderdhja ka  vdekur në vendin e ngjarjes.

Ky krim tejkalon shumë mesataren e vrasjeve tjera, ka thënë kryesuesi i trupit gjykues. Sipas tij, dorasi e ka planifikuar për kohë të gjatë këtë akt.

Djali 7 vjeçar dhe babi i tij që nga koha e krimit gjenden në terapi psikiatrike.