Shkurt.ch

Blocher, nga promotori, po bëhet barrë për SVP-UDC-në

Afërsisht gjysma e zgjedhësve të SVP-së druan se Blocheri po bëhet hipotekë (ngarkesë) për partine e tij

Patriarku i SVP-UDC-së, Christoph Blocher, ai që e solli këtë parti nga margjinat aty ku (ende) është, duket se po bëhet problemi kryesor për partinë! Kundërshtimi me të gjitha mjetet juridike që ai po i bën bastisjes që iu bë para pak ditësh, e ka shndërruar Blocherin në një lloj hipotetke për SVP-UDC-në.

Blocher konsideron se për të bastisur vilën e tij, autoritetet është dashur të kenë pasur një leje nga kryetari i Parlamentit Federal, për faktin se ai pretendon se gëzon imunitetin e deputetit .

Por, ndërkohë që ai po i vë në lëvizje të gjitha levat për të mbrojtur veten, duket se simpatia e zviceranëve për të dhe për partinë e tij po pëson rënie të pandalshme. Kështu, një sondazh i bërë nga Isopublic, i porositur nga “SonntagsZeitung” tregon se 63 % të të anketuarve janë të mendimit se Blocher është bërë një problem për SVP-UDC-në. Ndërsa 71.5 për qind madje mendojnë se Blocheri nuk e ka më vendin në kryesinë e SVP-UDC-së.

Dhe jo vetëm kaq. Blocheri po e humb terrenin edhe në mesin e zgjedhësve të vet. Afërsisht gjysma e tyre druan se Blocheri po bëhet hipotekë (ngarkesë) për partine e tij prandaj nuk duhet të veprojë më në kryesinë e saj. Rreth 44% të anëtarëve të SVP-UDC-së duan që Blocheri të mos luajë më role të rëndësishme politike.

Të përkujtojmë se në sondazhet e mëhershme Blocheri gëzonte miratimin e rreth 90 % të ithtarëve të SVP-së. Dhe, ky ndryshim, është treguesi më i mprehtë për dëmin që Blocher po i shkakton partisë së tij.

Më tutje sondazhi konstaton se, po të mbaheshin zgjedhjet sot, SVP do të fitonte rreth 23.7% të votave. Në zgjedhjet e fundit, me gjithë rënien evidente, kjo parti megjithatë kishte fituar 26.5%. Rënia e sërishme do të ishte për rreth 3%.