Shkurt.ch

Blocher, i dyshuar në aferën Hilderbrand

Mbrapa akuzave kundër kryetarit të Bankës Nacionale të Zvicrës Philip Hilderbrand qëndron deputeti nacional i SVP-UDC-së dhe nënkryetar i kësaj partie, Christoph Blocher. Sipas gazetave “NZZ am Sonntag” dhe “Sonntagszeitung”, Blocher-i është informuar nga presidentja Calmy-Rey lidhur me akuzën.

E akuza lidhet me informacionet që bashkëshortja e Hilderbrandit ka marrë nga bashkëshorti i saj për fiksimin e vlerës së frangut në muajin shtator. Nga këto informacione ajo ka realizuar përfitim financiar. Ndërsa mbetet e paqartë se si i ka siguruar Blocher dëshmitë për këto përfitime. Për këtë arsye tash edhe ai konsiderohet i dyshuar për keqpërdorim.

Ndërkaq, Blocher ka heshtur para medieve lidhur me akuzat.

Blocher, ashtu si dhe përfaqësuesit e dy bankave të implikuara në aferë, Banka Nacionale e Zvicrës dhe banka Sarasin nuk po japin shenja të iniciimit të ndonjë procedure juridike në këtë drejtim. Ende nuk është ngritur ndonjë procedurë hetimi as nga Prokuroria e Bazelit dhe ende është e paqartë nëse kjo prokurori është kompetente ose jo.

Vendimtar për të përcaktuar prokurorinë përgjegjëse është vendi ku janë dorëzuar të dhënat e kontestuara, sepse banka Sarasin ka selitë e saj në gjashtë qytete.