Kosova

Rishfaqet Shefqet Krasniqi, mban ders në Xhaminë e Madhe

Edhe pse temperatura në Prishtinë shënon 5 gradë celsius, kjo nuk ka ndalur besimtarët që të shkojnë në Xhaminë e Madhe për të ndjekur ligjëratën e Shefqet Krasniqit.

Qindra persona kishin zënë vend brenda Xhamisë së Madhe, por qindra të tjerë kishin mbetur jashtë saj për të dëgjuar dersin e Krasniqit.

Disa në këmbë, disa të ulur, dëgjonin Krasniqin përmes zmadhuesve të zërit që ishin të vendosur në muret e xhamisë.

Ligjërata e parë e Krasniqit pas katër vjet e gjysmë nisi me derën hapur të xhamisë, e cila ishte e bllokuar nga të pranishmit që nuk mund të hynin brenda.

Shefqet Krasniqi, imami i arrestuar e më pas i liruar nga gjykata si i pafajshëm, ka nisur ligjëratën pas namazit të Jacisë, me një përshëndetje për të pranishmit.

“Nga qershori 2014, Allahu ka dashtë që mos me u ulë në këtë xhami por ja që sërish me emrin e Allahut jemi bashkë sërish. Faleminderit kryetar e xhemat për krejt lutjet e mbështetjen, kjo e është shenjë e fortë qe e kemi ruajtë dinin. Kthehemi në temë se shumë ujëra kanë kaluar ndër urë qe 4 vite e gjysmë” ka thënë Krasniqi.

Pas mesazhit për rikthimin e tij në ligjëratat në xhami Krasniqi ka vazhduar me ligjëratën e tij të lënë në vitin 2014.

Shefqet Krasniqi ka shpjeguar për KALLXO.com se ka bërë kërkesë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë për t’u rikthyer dhe se Këshilli i BIK e ka miratuar kërkesën e tij.

“Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën time. Ndërsa këtë e ka miratuar edhe myftiu Naim Tërrnava”, theksoi Shefqet Krasniqi.

Shefqet Krasniqi tha se në Xhaminë e Madhe do të ligjërojë një herë në javë, siç ka ligjëruar më herët.

Katër vjet e gjysmë më parë, imamit Shefqet Krasniqi i ishte ndaluar ligjërimi në Xhaminë e Madhe, pasi që ai do të duhej të përballej në Gjykatë me akuzat e ngritura ndaj tij.

Në tetor të këtij viti, KALLXO.com raportoi se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, ishte shpallur i pafajshëm në akuzat për nxitje të urrejtjes, shtytje për terrorizëm dhe shmangie nga tatimi.