Lajme

BE-së i kërkohet të kufizojë moshën 15 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, kërkon që Bashkimi Evropian të vendosë një kufi moshe prej 15 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale, në përpjekje për të mbrojtur më mirë përdoruesit e rinj të smartfonëve nga përmbajtja e dëmshme dhe varësia ndaj ekranit, shkruan sot portali i Brukselit “Politico”.

“Sot mund të krijosh një profil në shumicën e platformave nëse je vetëm 13 vjeç. Por, kur je 13 vjeç, je ende fëmijë. Dhe, ne kemi parë që rreziku për fëmijët në rrjetet sociale është shumë i madh”, tha Frederiksen në një artikull për gazetën daneze Politiken, të cilin ajo e shkroi me anëtaren e Parlamentit të BE-së, Christel Schaldemose.

Ata mendojnë se kufiri i moshës duhet të shoqërohet me mjete efektive të verifikimit të moshës, sepse “gjigantët e teknologjisë nuk marrin përgjegjësi për këtë”.

“Rregullorja e re e moderimit të përmbajtjes, Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA), është rezultuar i pamjaftueshëm për të kundërshtuar platformat”, shkruan Frederiksen dhe Schaldemose.

Ata parashtruan propozime për të “shtrënguar ligjin”, duke përfshirë ndalimin e modeleve dhe reklamave të varura për të miturit dhe njoftimin e detyrueshëm se sa kohë shpenzojnë në platformat online.

Ideja e rritjes së kufirit të moshës i bën jehonë thirrjes së presidentit francez, Emmanuel Macron, muajin e kaluar për të lejuar aksesin në mediat sociale për mbi 15 vjeç në nivel BE-je.