Kosova

BE: Çështja e noterëve të Kosovës t’i lihet qeverisë së re

Sot, zyra e BE-së në Kosovë ka reaguar në lidhje me procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të noterëve të rinj të Kosovës.

Sipas kësaj Zyre qeveria në largim nuk duhet të marrë vendim në këtë proces dhe thotë se i njëjti vendim duhet t’i lihet qeverisë së re.

“U bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës të përmbahen nga emërimi i çdo noteri, sepse ne besojmë fuqishëm që vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re”, ka përfunduar Zyra e BE-së në Kosovë, raporton Koha.net.

Para pak ditësh procesi i përzgjedhjes së noterëve nga Ministria e Drejtësisë, përveç reagimeve në Kosovë, ka nxitur edhe reagimin e përbashkët të Unionit Ndërkombëtar të Noterëve dhe të Odës Federale Gjermane të Noterisë.

Ideja e ministrit në detyrë, Abelard Tahiri, që Kosovës t’i shtohen rreth 130 noterë të rinj nuk ka gjetur përkrahje nga këto dy organizata, përcjell albinfo.ch.