Kosova

Barduani: Situata është e qetë, por ende e brishtë

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, tha se sulmi i fundit në kanalin Ibër-Lepenc, afër Zubin Potokut, dëshmon për ndjeshmërinë e situatës së sigurisë, e cila është e ndjeshme ndaj keqpërdorimeve të mundshme.

Ai tha se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, duke përfshirë organet e sigurisë së Kosovës, është shumë i mirë.

Komandanti i KFOR-it, duke folur për rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, tha se në këtë rast nuk ka pasur nevojë të dislokohet Forca e Sigurisë së Kosovës, sepse Policia e Kosovës, me mbështetjen e EULEX-it dhe KFOR-it, ka qenë absolutisht në gjendje ta menaxhojë atë situatë.

Ai shtoi se për dislokimin e FSK-së ekzistojnë procedura të veçanta.

Barduani duke folur për sigurinë tha se situata është e qetë, por ende e brishtë, kryesisht për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike, teksa shtoi se rreziku real për përshkallëzimin e tensioneve, përfshirë marrëdhëniet ndëretnike, sipas tij, është i lidhur me dezinformimin në vend dhe në gjithë rajonin.