Shkurt.ch

Azil: kantonet duan më pak përzierje të komunave

Duhen kufizuar detyrimet për marrëveshje me komunat, për shfrytëzimin e përkohshëm të vendstrehimeve ushtarake

Kryetari i qeverisë së Kantonit të Soloturnit, Peter Gomm, i cili njëherësh është edhe kryetar i konferencës së drejtorëve kantonalë të çështjeve sociale është shprehur për një zgjidhje që do të mundësonte strehim më të shpejtë të azilkërkuesve.

Për tu arritur kjo, ai ka kërkuar që objektet ushtarake të përshtatshme për strehim, të merren pa leje të veçantë të departamentit të mbrojtjes. Gomm e ka mbrojtur këtë qëndrim me nevojën e shkurtimit të procedurave të azilit, për faktin se ato po zgjasin deri në tri vite.

Ai ka thënë për NZZ am Sonntag se duhen kufizuar edhe detyrimet për marrëveshje me komunat, kur është fjala për shfrytëzimin e përkohshëm të vendstrehimeve ushtarake. Federata duhet të shkurtojë procedurën e azilit dhe të organizojë më mirë gjithë problematikën.