Shkurt.ch

As Moxarti nuk i largon të rinjtë nga “Banhofi”!

Nisur nga ideja se të rinjtë nuk e durojnë muzikën klasike, në stacionin e trenave Heerbrugg lëshohet gjithë ditën muzikë e tillë

Një ide (pothuaj) origjinale e komunarëve të Heerbrugg-ut të kantonit St. Gallen, duket se ka dështuar. Të mërzitur nga zhurma që bënin grupet e të rinjve që rregullisht grumbulloheshin te stacioni i trenit, ata menduan se kishin gjetur zgjidhjen: me muzikë klasike do t`i mbanin tinejxherët larg stacionit dhe me këtë do të kthenin qetësinë.

Ashtu si u tha edhe u bë: nga ora 7 deri në orën 22 në hyrje të stacionit lëshohej muzikë klasike nga altoparlantët me zë të lartë, shkruan 20 minuten.

Ideja ishte se të rinjtë, sidomos ata që mblidhen nëpër stacione, nuk e durojnë dot muzikën klasike. Kjo me “dashurinë” e këtyre të rinjve për Moxartin me kompani, mund edhe të qëndrojë.

Por e vërteta e hidhur e Heerbrugut është se investimi me këtë muzikë nuk ka “dhezur”. E gjithë çfarë është arritur, të rinjtë janë larguar për nja 50 metra nga hyrja në perone, por prapë kanë mbetur në arealin e stacionit të trenit…