Kosova

Arrihet marrëveshje Kosovë-Kroaci për njohjen e patent shoferëve

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme me homologun e tij nga Kroacia, Davor Bozinovic.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka shkruar se kanë arritur disa marrëveshje.

“Jam shumë i lumtur që në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci të cilës po i prinë Kryeministri Albin Kurti, sot nënshkruam me homologun tim Davor Božinović:

– Marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të patentshoferëve;

– Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes nga katastrofat natyrore dhe të tjera;

– Memorandumin për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e forenzikës dhe

– Memorandumin e bashkëpunimit mes akademive tona policore”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Tutje, ai ka deklaruar se këto marrëveshje dhe memorandume do të ndikojnë drejtpërdrejtë në forcimin e sistemeve të sigurisë dhe emergjencave ndërsa marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të patent-shoferëve do t’i ndihmojë mërgatës që jeton në Kroaci si në aspektin ekonomik ashtu edhe në lehtësimin e zhvillimit të tyre atje.