Lajme

Zvicër: Alba Event pret nesër mbi 300 motoristë shqiptarë

Shoqata ALBA-MOTORSPORT feston 20 vjetorin e themelimit dhe po përgatit një festë të madhe me mbi 300 motoristë që kanë paralajmëruar pjesëmarrjen.

Motoristët shqiptarë në Zvicër janë të organizuar, jo vetëm me vizita në vende të ndryshme, por edhe me ngjarje bamirësie, duke dhënë kontriboutin e tyre.

Në këtë pikë klubi motoristëve shqiptarë me seli në Reinach, kanton Argau, ALBA-MOTORSORT prinë me aktivitete bamirëse. Madje shoqata e ka edhe në statut të integrur aktivitetin bamirës, Kështu këta festojnë, të shtunën, 20-vjetorin e themelimit të shoqatës me një organizim të pasur kulturo-artistik dhe presin një numër të lartë të mysafirëve. Eventi është i hapur pë të gjithë adhururuesit e motoçiklizmit.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me kryetarin e AMC Alba, Bujar Dullaj – Buki, i cili ka treguar për historinë e themelimit të kësaj shoqate. “Në fillim të viteve 2000 ishim disa shokë që kishim motorë dhe dilnim për t’u relaksuar, ndërsa njëkohësisht merreshim edhe me karting. Në vitin 2001 vendosëm të formojmë një shoqatë motorsportive shqiptare që do ta quanim A.M.C. ALBA (Auto Moto Club Alba), por që të mos kemi konflikt me klubet e tjera vendore, më 2005 vendosëm ta ndërrojmë emrin në ALBA-MOTORSPORT dhe të jemi zyrtarisht shoqatë e motoristëve bamirës me seli në Reinach AG, gjë që komunës së Reinachut i erdhi shumë mirë”, është shprehur Dullaj për albinfo.ch.

Kjo shoqatë ka aktivizuar shumë aktivitete bamirëse. “Rrugëtimet tona zakonisht i kemi të lidhura ngushtë me bamirësi, pasi që në çdo rrugëtim që e kemi bërë jashtë vendit, e kemi shndërruar në një rrugëtim bamirës, që së bashku me disa organizata të tjera ndërkombëtare, kemi furnizuar spitalet në trojet tona me aparate mjekësore, shtretër, mjete terapie, etj.

Si shoqatë, nuk na kanë munguar as rrugëtimet për të vizituar vende të tjera të Evropës, si Anglia, Suedia, Norvegjia, Finlanda, vendet ish-Sovjetike, e shumë e shumë shtete të tjera”, shtoi tutje Buki.

Për adhuruesit e adrenalinës nuk mungojnë as takimet ekstreme. “Po, kemi disa takime ekstreme siç janë Elefantentreffen në Gjermani dhe Pinguinos në Spanjë, që mbahen në fund të muajit janar, në të cilat me entuziazëm të madh kemi marrë pjesë së bashku me disa shokë nga Kosova dhe Shqipëria. Kemi marrë pjesë edhe në Nordkap, që ishte mbresëlënëse dhe i rekomandojmë çdo motoristi”.

Ky është viti jubilar për këtë shoqatë. “Ne mburremi që festojmë 20-vjetorin e formimit të Shoqatës. Meritat më të mëdha për sukseset e klubit janë vetë anëtarët tonë shembullore, ku shumë prej tyre i kanë më shumë se 10 vjet në shoqatë.

Festat tona të zakonta vjetore bëhen pak më ndryshe se në shoqatat e tjera. Ato mbahen gjithmonë në ambiente të hapura me muzikë të bukur, rok shqiptar, ushqime tradicionale dhe me atraksione të ndryshme. Në festat tona nuk mungojnë as klubet e tjera të motoristëve shqiptarë në Zvicër, si dhe shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Suedia, Gjermania, Italia, Austria, që na nderojnë me ardhjen e tyre që të dëfrehemi dhe të jemi të gjithë bashkë, ndërsa vlen të ceket se për të na nderuar kemi edhe shumë shokë zviceranë, gjermanë, kroatë, boshnjakë etj”, theksoi Bujar Dullaj.

Këtë vit ky organizim do të mbahet të shtunën, më 3 shtator, nga ora 16:00, në Reinach, kantoni Aargau. “Të pranishëm do të jenë edhe simpatizuesi të këtij sporti apo të cilët e kanë merak rokun shqiptar. Në festën e përvjetorit të 20-të do të kemi një festë me gjigante se herëve të tjera, ku do të kemi muzikë rok shqip Live, DJ të mirënjohur shqiptarë, si dhe daullet/tupanët tradicionalë. Deri më tani na kanë konfirmuar pjesëmarrjen të gjitha klubet e motoristëve shqiptarë në Zvicër dhe vendet për rreth si dhe disa motoristë, entuziastë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas konfirmimeve, presim mbi 300 motoristë dhe jemi të bindur që do të jetë atmosferë e paparë”, përfundoi Bujar Dullaj – Buki, kryetar i shoqatës.