Futboll

A ka Kosova ende gjasa për Euro 2024?

Kosova do të luajë sot ndaj Zvicrës ndeshjen e katërt të fazës së grupeve për kualifikimet në Euro 2024, përcjell albinfo.ch.

Dardanët nuk i kanë nisur mirë këto eliminatore, edhe pse llogariteshin si favorit, sidomos për pozitën e dytë.

Nga katër ndeshje, Kosova ka marrë tri barazime dhe një humbje deri më tani.

E nisi në mars me barazim në udhëtim te Izraeli (1-1) që u konsiderua rezultat pozitiv, por në ndeshjen e dytë, kur pritej fitorja e parë, Kosova barazoi me Andorrën po ashtu me rezultat 1-1.

Ndeshjet e qershorit priteshin me entuziazëm për rikthim te rezultatet, por ndaj Rumanisë erdhi barazimi i tretë me radhë. Dardanët shënuan në këtë ndeshje, por për pozitë jashtë loje gjatë aksionit, goli u anulua.

Tri barazimet u harruan kur erdhi humbja nga Bjellorusia dhe atë në terren neutral, pasi ndeshje e humbur 2-1 erdhi në Budapest.

Kjo humbje rrëzoi entuziazmin e ekipit dhe tifozëve, pasi që kur kishin mbetur edhe gjashtë ndeshje, shpresat kishin filluar të veniteshin dukshëm.

Nga grupi ku ishin favorit, po rrëshqisnim në autsajder, ku fitorja e parë ende nuk ka ardhur.

Por, shumë njohës i japin Kosovës ende gjasa për pozitën e dytë, me një kusht. Fitorja në ndeshje ndaj Zvicrës është detyrim, pasi një fitore në “Fadil Vokrri” të shtunën do t’i dërgonte Dardanët në kuotën e 6 pikëve.

Pas kësaj do të mbeteshin edhe pesë ndeshje të tjera, që me dëshirë dhe angazhim më të madh, në secilën prej tyre do të mund të merrnin pikë.