Integrimi

Festival humori kundër racizmit, me pjesëmarrje shqiptare

Më 13, 14 e 15 nëntor mbahet në Cyrih festivali humoristik «Laugh up stand up» që merret me stereotipat për të huajt dhe racizmin. Siç bën të ditur  studiuesja Shpresa Jashari, ky festival i llojit të veçantë organizohet nga një grup i vogël aktivistësh/studiuesish.

«Në fakt në shoqatë/organizim të festivalit janë: Geesa Tuch, Rohit Jain, Katharina Morawek dhe unë», thekson ajo për albinfo.ch.
Një arsye më shumë për publikun shqiptar të Zvicrës që ta ndjekë këtë festival është edhe fakti se në program marrin pjesë edhe dy shqiptaro-zviceranë, aktualisht shumë të pranishëm në skenën zvicerane të humorit dhe muzikës.

Fjala është për humoristin Bendrit Bajra dhe rap-këngëtarin Baba Uslender (Granit Dervishaj). Kështu që përveç faktit që tema është thellësisht e lidhur me diasporën shqiptare, festivali mund të jetë interesant edhe për një publik më të madh, thotë Shpresa Jashari, njëra ndër organizatoret.

Festivali do të mbahet në Shedhalle, Rote Fabrik në Cyrih. Për hollësitë, mund të shikoni në fletëpalosjen (flyer) e bashkëngjitur ose në linkun: http://www.laughupstandup.ch/#Home-Events-Section