Gruaja

Liridona Fetahaj, e bukura e diasporës

Liridona Fetahaj është bukuroshja shqiptare që ditë më parë është zgjedhur më e bukura e diasporës në spektaklin “Miss & Mister Diaspora 2015” që u mbajt në Krefeld të Gjermanisë.

17-vjeçarja nga Peja, e cila jeton në Munih, është e lumtur për suksesin e arritur në këtë spektakël të bukurisë. “Ka qenë hera e parë që kam marrë pjesë në një garë të tillë dhe jam shumë e lumtur që kam fituar vendin e parë”, thotë ajo për albinfo.ch.

Organizimi, sipas saj, ka qenë shumë i mirë, ndërsa konkurrenca ishte shumë e fortë. “Ka pasur shumë vajza të bukura dhe inteligjente, por unë e pata fatin të jem fituese”, shprehet ajo.

Fitorja e titullit “Miss Diaspora” Liridonës ia ka mundësuar të bëjë një kontratë me një agjenci mediatike “Sinnphonie agency”. “Natyrisht që jam e lumtur për këtë, sepse kjo agjenci është shumë profesionale”.

Për të ardhmen e Liridones në radhë të parë është e rëndësishme të përfundojë shkollimin, e pastaj në marrëveshje me agjencinë do të marrë edhe ndonjë hap tjetër, por në dëshirat e saj janë pistat e modës botërore.