Gruaja

Vesa Govori Hapçiu vjen me ekspozitë në Cyrih

Ekspozita e titulluar „Embrioni" do të hapet më 20 maj në Cyrih dhe do të qëndrojë e hapur deri më 25 maj.

Kjo është ekspozita e katërt me radhë personale e artistes Vesa Govori Hapçiu, e cila gjithë këtë vepër arti do ta sjellë për artdashësit më 20 maj në Cyrih të Zvicrës.

Artistja tregon se nga cikli “Embrion” do të prezantohen gjithsej 30 punime të dimensioneve të ndryshme.

“Planifikimi i kësaj ekspozite ka filluar para dy vjetëve. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar punimet, janë bërë përgatitjet e tjera, si bartja e punimeve, vizita paraprake në galeri, fotografimi dhe përgatitja e katalogëve, etj. Nga vetë natyra jam më impulsive e ekspresive, andaj në punime e kam shprehur atë të brendshmen dhe patjetër që në punimet e mia janë të paraqitura edhe ngjyrat më të zjarrta, duke filluar nga ngjyra e verdhë, portokalli dhe e kuqja si më dominuesja”, thotë Hapçiu.

Ajo qysh nga shkolla fillore ka marrë pjesë në shumë ekspozita, por që nga studimet e tutje është pjesëmarrëse e më shumë se 20 ekspozitave kolektive, ku siç tha ajo, tek disa prej tyre ishte edhe organizatore.

Nga ekspozitat personale, duke e konsideruar edhe këtë të Zvicrës, është e katërta me radhë jashtë Kosovës. Pra, duke marrë parasysh se të gjitha ekspozitat janë organizuar jashtë vendit, si në Zarë të Kroacisë, Shkup, Maqedoni, Zagreb, Kroaci dhe në Zvicër.

Hapja e ekspozitës personale të piktorës Vesa Govori-Hapçiu me temën „Embrioni” do të bëhet nga ora 18:00 në Kronen-Galerie,  8001 Zürich.