Kosova

Mbi 5,500 qytetarë të Kosovës morën leje pune në Gjermani, brenda 5 muajve

Prej kur është zgjeruar Rregullorja e Ballkanit Perëndimor nga qeveria gjermane në qershor të këtij viti, është dyfishuar numri i punëtorëve nga rajoni në Gjermani.

Autoritetet gjermane prej muajit qershor deri në nëntor kanë dhënë 25.000 leje pune për qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Mali i Zi, e njëjta shifër që përfshin gjithë vitin e kaluar, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, shumica e punëtorëve migrantë kanë ardhur nga Kosova (5,564) dhe Serbia (4,239).

Ndryshe, Rregullorja e Ballkanit Perëndimor, nga Gjermania, u ofrua në vitin 2016 për të ulur numrin e kërkesave për azil nga vendet e Ballkanit.

“Kuptimi i kësaj rregulloreje të Ballkanit Perëndimor është që duke lehtësuar qasjen në tregun gjerman të punës, të reduktojmë migracionin e parregullt në sistemin e azilit”, ka thënë zëvendëskryetari i Partisë liberale, Konstantin Kuhle.

Rregullorja mundëson marrjen e vizës së punësimit në Gjermani pavarësisht kualifikimit, ndërsa kusht për këtë është një ofertë konkrete pune apo një kontratë pune.