Kultura

“Aga Xade” në teatrin e Bazelit

I bërë i njohur me rolin e tij në shoun humoristik “Prrallë me tupan” në rolin e “Aga Xade”, Ridvan Murati ka gjetur veten në teatrin “Thetarefalle” të Bazelit

Edhe nëse një shfaqje me aktorë amatorë shfaqet mbi 150 herë nëpër teatro të ndryshme anembanë Kosovës, kjo nuk mund të quhet asgjë tjetër pos sukses. Padyshim pjesë e këtij suksesi ishte edhe Ridvan Murati, që në shfaqjen „Ora Policore” luante Rabitin, njërin nga dy protagonistët kryesorë të kësaj komedie, e cila gjatë vitit 2000 ishte bërë një hit teatror.

Edhe për Ridvanin, apo siç e njohin te gjithë, Rikin, e tëra kishte filluar me skeçe të ndryshme në shkollën fillore dhe të mesme. Ndërsa pas shfaqjes së suksesshme, ai përfundimisht përcaktohet që marrëdhënien e tij me aktrimin ta ngre në një nivel tjetër. Po në atë vit, ai pranohet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Tetovës.

Gjatë studimeve, Riki dallohet me punën dhe përkushtimin e tij ndaj artit dhe merr pjesë si student në disa shfaqje të ndryshme. “Romeo e Xhulieta” në regji të Tony Grady-t, “Hamleti” (Nehat Mehmeti) si dhe e luan rolin kryesor në filmin “Ora Policore”. Vazhdon kështu deri në vitin  2004, kur diplomon me shfaqjen “Revolja“ të Gabor Georgej në regji të Nehat Mehmetit.

“Aga Xade” nga “Prrallë me tupan”

Si aktor i diplomuar, ai angazhohet fillimisht në Teatrin e Gjilanit, ku merr pjesë në shumë shfaqje të inskenuara aty, duke punuar me regjisorë të njohur kosovarë, si Ismail Ymeri, Fadil Hysaj, Ekrem Sopi, Agim Selimi, Erson Zymberi etj. Në vitin 2004 në shfaqjen “Mos e Prek” me regji të Elmaze Nurës, Rikit i besohet njeri nga rolet kryesore. Falë lojës së tij dhe të aktorëve të tjerë, kjo shfaqje merr pjesë në festivale të ndryshme ku vlerësohet me çmime të ndryshme

Gjatë kësaj periudhe Rikin e shohim mjaft aktiv në lëmin e tij, ku pos në teatër, merr pjesë edhe në filma të shkurtër, videoklipe, reklama e të tjera.
Popullaritetin më të madh Riki e arrin gjatë viteve 2006-2008, në Show Komedinë „Prrallë me Tupan“. Ai portretizonte aty Agën Xade një djalë nga Tërnoci i lindun me „ditin ditin tetedhet e diten” (02.02.1982).

Në vitin 2009, për shkaqe profesionale dhe familjare vjen për të vepruar dhe jetuar në Zvicër.
Po atë vit bëhet pjesë e “Theaterfalle” në Basel, një ndërmarrje teatrore që njihet më shumë për Forum Teatër, në të cilin lejohet edhe diskutimi i aktorëve me publikun. Në ndërkohë ai vazhdon edhe shkollimin e mëtutjeshëm në “Impro Training”.

Në teatrin e Bazelit “Theaterfalle”

Edhe pse në fillim ishte përballur me vështirësi të shumta, siç ishin gjuha, apo edhe integrimi, falë punës së tij, Riki luan sot në mbi 90 % të projekteve të “Theaterfalle”. Deri më tash ai ka realizuar mbi 20 shfaqje me këtë trupë, 6 nga të cilat vazhdojnë të shfaqen ende nëpër skena të qyteteve të Zvicrës.
Përvojën e mbledhur në Zvicër, Riki vendosi ta ndajë edhe me ish kolegët e tij në Kosovë. Së bashku me drejtoreshën artistikë të “Theaterfalle”, Ruth Widmer, në bashkëpunim me OJQ “Varg e Vi” në Gjilan, zhvillojnë një workshop shumë të suksesshëm me artistë lokalë, e që sipas Rikit, ky është jetë vetëm fillimi.

Si projekt primar i “Theaterfalle” për 2015 është “Heimweh” ose “Malli për vendlindje”, projekt i cili do të zhvillohet në Kosovë. së bashku me teatrin e Gjilanit, Varg e Vi si dhe Artpolis. “Heimweh”, që është një projekt mjaft inovativ do të përgatitet në dy faza, ndërsa pritet të jepet për publikun gjatë sezonit të pushimeve të verës në Gjilan. Kurse në Zvicër pritet të jepet dikur në shtator të këtij viti.

Pjesë e serialit më jetëgjatë gjerman

Edhe pse mjaft aktiv, duket se kjo nuk po i mjafton Rikit. Ai, pas një paraqitjeje në një zyrë audicioni, merr edhe ftesat e para për pjesëmarrje në projekte filmike. Dhe madje, në një projekt mjaft serioz. Bëhet fjalë për filmin serik televiziv “Tatort”, më jetëgjatin deri më tash në gjuhën gjermane (episodi i parë është dhënë në vitin 1970). “Tatort”  xhirohet në tre vende gjermanishtfolëse, në Gjermani, Austri dhe Zvicër, e po ashtu shfaqet në televizionet publike të këtyre vendeve siç janë ARD, ORF 2 si dhe SRF.

Në episodin e fundit të xhiruar në Zvicër me titull pune “Tatort Sniper”, Riki luan rolin e një serbi të ri të quajtur Dragan, i cili dyshohet të ketë vrarë dy të rinj shqiptarë nga një bandë tjetër rivale. Riki, ka mbetur më se i kënaqur me punën e tij në këtë film. Ai shprehet tejet i impresionuar me punën dhe profesionalizmin këtu. Episodi është xhiruar gjatë nëntorit në Luzern. Regjia është bërë nga Florian Froschmayer në Produksion të Zodiac Pictures. Ndërsa tashmë është në fazën e postproduksionit, e ende nuk është bërë e ditur data e shfaqjes së tij në TV.

Shpresojmë që ky hap i vogël, por shumë i rëndësishëm i Ridvan Muratit në botën e filmit të  mos të jetë i fundit, duke i uruar atij suksese të mëtejme në botën e artit.

Ridvani në “Tatort”

Ridvani luan në filmin serik televiziv “Tatort”, më jetëgjatin deri më tash në gjuhën gjermane (episodi i parë është dhënë në vitin 1970). “Tatort”  xhirohet në tre vende gjermanishtfolëse, në Gjermani, Austri dhe Zvicër, e po ashtu shfaqet në televizionet publike të këtyre vendeve siç janë ARD, ORF 2 si dhe SRF.