Kosova

Rritje prej 108 për qind të azilkërkuesve nga Kosova, disa vende të BE-së shprehen të shqetësuara

Nga janari deri në shtator të këtij viti ka pasur 3905 kërkesa për azil në vendet e BE-së nga shtetasit e Kosovës, thuhet në raportin e Komisionit Evropian për mekanizmat e suspendimit të liberalizimit të vizave. Sipas këtij raporti, është një rritje prej 108 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. Derisa diplomatët e Bashkimit Evropian thonë se numri i përgjithshëm nuk është aq i madh nëse krahasohet me disa shtete të tjera, prapë është një indikacion se po keqpërdoret liberalizimi i vizave nga qytetarët e Kosovës.

Disa shtete kanë filluar të ngrenë shqetësime për këtë. Në raport Komisioni Evropian ka konstatuar se Kosova është duke vazhduar t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave, por kërkon që të ketë vigjilencë edhe në të ardhmen.

KE-ja kërkon nga autoritetet e Kosovës që të rifillojnë fushatën e informimit të qytetarëve për të drejtat dhe obligimet e udhëtimit në vendet e BE-së pa viza.

Po ashtu KE-ja u ka bërë thirrje Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor që ta përshtatin regjimin e vizave me atë që e ka BE-ja. Kjo nënkupton se qytetarët e shteteve të cilave BE-ja u kërkon viza të kenë regjim vizash edhe në Kosovë. Deri më tash qytetarët e 16 shteteve që kanë nevojë për viza për të hyrë në BE udhëtojnë pa viza në Kosovë. Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në BE që nga 1 janari i këtij viti. Një raport i plotë për Kosovën me të dhëna të sakta pritet të publikohet vitin e ardhshëm.