Maqedonia

Shkup: Incidenti me flamurin, arrestime dhe akuza për destabilizim

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar tetë persona më 29 nëntor lidhur me djegien e flamurit maqedonas në lagjen Bit Pazar të Shkupit, gjatë festimeve me rastin e 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Pançe Toshkovski, njoftoi se personat e arrestuar janë kryesisht të rinj të moshës 18 deri 21 vjeç, ndërsa njëri prej tyre, siç tha, “është i mitur”.

“Katër nga ata persona janë arrestuar për shkak se kanë kryer shkelje, pjesëmarrje në rrahje. Ndërsa, katër persona të tjerë janë arrestuar për shkak se për ta kemi baza të dyshimit se kanë kryer vepër penale 319, nga Kodi Penal që ka të bëjë me ‘nxitje të urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, ku është paraparë dënim minimal me 1 vit burgim”, tha Toshkovski gjatë një konference për media të premten.

Ai djegien e flamurit maqedonas e cilësoi si “sulm direkt ndaj shtetit”, dhe tha se këto veprime janë dëshmi e paralajmërimeve paraprake nga MPB-ja për destabilizim të vendit.

Pamjet e incidentit, të cilat u shpërndan në rrjetet sociale, si Facebook, X dhe TikTok, nxitën reagime të ashpra të partive politike dhe opinioni publik në Maqedoninë e Veriut.

Nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në opozitë thanë se sistemi i sigurisë ka dështuar, për çka kërkuan dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Toshkovski, drejtorit të Byrosë për siguri publike, Aleksandar Janev dhe kreut të Stacionit Policor në Shkupi, Sasho Topallovski.

“Pse Ministria e Brendshme nuk kishte informacione operative në kohë për të vepruar në mënyrë parandaluese dhe për të parandaluar që kjo të ndodhte? Çfarë po bëjnë? Si u lejua që situata të përshkallëzohej në këtë nivel? Pse lejuan një poshtërim të tillë të maqedonasve dhe shtetit maqedonas, për më tepër, pse nuk u arrestuan ata që qëlluan dhe përdorën armë zjarri në qendër të Shkupit”, potencoi të premten sekretari organizativ i LSDM-së, Martin Kostovski.

Partia shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), përmes një komunikate për media, njoftoi për një incident të djegies së flamurit të shtetit shqiptar. Nga BDI dënuan djegien e flamujve – shqiptarë dhe maqedonase – si dhe kritikuan ndërhyrjen policore gjatë festimeve të 28 Nëntorit në Shkup.

“Në këtë kontekst, është e papranueshme dhe e turpshme që VMRO-DPMNE [partia në pushtet] dhe forca të tjera politike po përpiqen të shfrytëzojnë këto incidente për të ndërtuar një narrativë të rreme që kriminalizon çdo pozicion shqiptar. Kjo tendencë për të përfaqësuar shqiptarët si mbështetës të agjendave kriminale është një sulm ndaj identitetit dhe dinjitetit tonë kolektiv dhe një përpjekje për të mbuluar agjendën e tyre të korruptuar“, thuhet në reagimin e BDI-së, në të cilin u bëhet thirrje institucioneve të veprojnë me maturi, profesionalizëm dhe paanshmëri, pa dallim, dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur lirshëm identitetin dhe kulturën e tyre.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, e cilësoi rastin si të inskenuar dhe paralajmëroi se nuk “do të ketë mëshirë” as ndaj organizatorëve, e as ndaj kryerësve të këtyre veprave.

“Për shkak se është një grup i vogël i manipuluar, i izoluar, nga ata që i mbrojnë milionat e tyre. Ndërsa deri tek ata që janë viktima potenciale të këtyre kriminelëve dhe dhunuesve politikë, dua t’i paralajmëroj se nuk do të kemi mëshirë ndaj askujt. Secili që do ta shkelë ligjin dhe Kushtetutën, do të përgjigjet”, tha Mickoski të premten.

Me reagim dolën edhe koalicioni shqiptar VLEN, që është pjesë e Qeverisë, duke i dënuar ashpër ngjarjet me djegien e flamujve shtetërorë. Ngjashëm si kryeministri Mickoski, edhe VLEN vlerësoi se rasti është inskenuar, nga siç tha, “qarqe të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit“.

“Në fund të ditës u lajmëruan këto qarqe, të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit. Jo se e duan shtetin, por se u mungon pushteti. Koalicioni VLEN dënon ashpër këto akte të papranueshme që kanë ndodhur mbrëmë gjatë festës së pavarësisë së Shqipërisë, ku janë përdhosur flamujt shtetërorë në mënyrë të turpshme, pamje që janë bërë sot publike nga mediat vendore“, thanë nga VLEN.

Ndërkohë, të premten, gjatë ditës, Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka nisur hetimet për djegien e flamurit dhe po ndërmerren veprime për zbardhjen e plotë të ngjarjes./ REL