Lajme

Ambasadori shqiptar reflekton për pavarësinë, në Ditën e Flamurit, në Bernë

Në pritjen në Bernë u përkujtuan dy ngjarjet kyçe të kombit shqiptar: shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 dhe çlirimi i Shqipërisë më 29 Nëntor 1944

Mbrëmja e djeshme, e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Bernë, shënoi një ngjarje festive të paharrueshme për shqiptarët e Zvicrës dhe diasporës në përgjithësi. Me rastin e Festës së Flamurit, një ditë me rëndësi historike, u përkujtuan dy ngjarjet kyçe të kombit shqiptar: shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 dhe çlirimi i Shqipërisë më 29 Nëntor 1944.

Ky festim i mbushur me krenari dhe emocione u bë një mundësi e shkëlqyer për të bashkuar shqiptarët, për të ndarë reflektime mbi sfidat dhe sukseset e shtetit shqiptar dhe për të theksuar rëndësinë e unitetit dhe bashkimit të kombit.

Të pranishmit, shqiptarë nga Zvicra dhe mbarë diaspora, u mblodhën për të festuar krenarinë, sakrificat dhe përpjekjet që kanë shoqëruar shtetin shqiptar për liri dhe pavarësi. Ngjarja ishte një mundësi e shkëlqyer për të bashkuar shqiptarët dhe për të theksuar rëndësinë e unitetit dhe forcës kombëtare në përballjen me sfidat e kohës së tanishme.

Me rastin e njëvjetorit të dorëzimit të letrave kredenciale si ambasador i Shqipërisë në Zvicër dhe Lihtenshtajn, Mustafa Nano ndau reflektime të veçanta mbi përjetimet e tij dhe lidhjet ndërkombëtare të vendit tonë. Fjalimi, i pasur me humor dhe ironi, nënvizoi si ngjashmëritë ashtu edhe ndryshimet kulturore mes Shqipërisë dhe Zvicrës, dy vende që shpesh krahasohen në kontekste historike dhe simbolike.

Nano ndau menjë incident të vogël, por domethënës, nga jeta e tij diplomatike. “Një zonjë nga Lihtenstajni u ndje e zhgënjyer kur unë i thashë se, për mua, Zvicra dhe Lihtenshtajni janë të njëjta. Reagimi i saj ma kujtoi se edhe në botën diplomatike, fjalët kanë peshë dhe mund të prekin sedrën kombëtare”, tha ambasadori.

Ai shtoi me një ton humoristik: “Unë, si shqiptar, mund ta them pa asnjë kompleks një gjë të tillë. Shqiptarët do të ndiheshin të ledhatuar nëse dikush do të shihte vendin e tyre si një Zvicër, edhe pse krahasimi shpesh duket më shumë si një kompliment se sa si një realitet konkret.”

Nano u rikthye në histori, duke kujtuar se si në shekullin XIX, udhëtarë dhe studiues perëndimorë si François Pouqueville dhe Edward Lear e krahasonin Shqipërinë me Zvicrën. Këto krahasime e bënin krenarë shqiptarët e kohës, aq sa Pashko Vasa deklaroi me guxim në vitin 1879: “Shqipërisë do t’i duhet pak kohë që të bëhet më e mirë se Zvicra”.

Por Nano shtoi se kjo pritshmëri mbeti përtej realitetit tonë. “Pashko Vasa na e vendosi stekën shumë lart. Historia, kultura dhe zakonet tona janë të ndryshme nga ato të zviceranëve. Por ndonjë ngjashmëri ekziston: edhe ne, si ata, i lëmë këpucët te pragu i derës”.

Nano e zgjeron reflektimin për ngjashmëritë dhe ndryshimet mes vendeve duke përshkruar bunkerët. “Ndryshe nga tanët, bunkerët zviceranë ofrojnë mbrojtje kundër bombave bërthamore, gjë që i bën zviceranët të ndihen të sigurt në kohëra të trazuara. Por, nëse shqiptarët do të prodhonin bomba, ato do të pagëzoheshin në mënyrë patriotike: Granit Xhaka, Dua Lipa, ose Nënë Tereza”.

Një episod imagjinar rreth bombës “Nënë Tereza” i dha fjalës një dozë ironie: “Gazetat e botës do të shkruanin: ‘Nënë Tereza vret 2 milionë të krishterë.’ Dhe shenjtorja do të humbte qetësinë e saj në parajsë”.

Ambasadori preku gjithashtu temën e kanosjeve bërthamore nga Rusia, duke kritikuar retorikën e përditshme të elitës sunduese. Ai u shpreh: “Sa të mërzitshëm janë me mburrjet e tyre për arsenalin bërthamor! Dhe bombat e tyre me emra të ftohtë si SARMAT nuk frymëzojnë aspak frikë. Ndoshta shqiptarët, me kreativitetin e tyre, do të bënin diçka ndryshe”.

Fjalimi i Mustafa Nanos përfundoi me një mesazh të ngrohtë: “Unë i dua të dyja vendet njësoj. Zvicra dhe Lihtenshtajni janë shembuj të stabilitetit dhe harmonisë, cilësi që edhe ne, shqiptarët, aspirojmë. Le të marrim më të mirën nga çdo shembull që na rrethon”.

Elita e diasporës dhe lidhja kombëtare

Nexhmedin Ahmeti, Elite Invest
“Uroj të gjithë shqiptarët, Ditën e Flamurit, ditën tonë kombëtare, për të cilin shumë gjenerata kanë vuajtur dhe nuk e kanë pasur mundësinë të festojnë të lirë. Fati i angazhimit të brezave të mëparshme ne sot e gëzojmë lirinë dhe festojmë kudo që jemi në botë. Nder dhe kënaqësi të gjendemi pranë ambasadës sonë në Bern. Ne të gjithë jemi një, të ndarë me histori në copëza, por nuk jemi ndarë kurrë. Uroj të punojmë shumë në këtë drejtim dhe gjithmonë të mos pranojmë ndasi. Pa marrë parasysh çështjet politike të të kaluarës, ne jemi një dhe do të mbetemi një. Uroj që të punojmë për të qenë më të bashkuar, në të gjitha fushat, dhe të korrim sukses në çdo vend ku mund të arrijmë”.

Natmir Mehmedi, Afarist – Humanist
“Kjo është një mbrëmje shumë e veçantë festive, dita e 112-të e Pavarësisë së Shqipërisë. Uroj që shqiptarët të kenë më shumë bashkim dhe solidaritet. E gëzofshim 28 Nëntorin!”.

Mentor Latifi, Ambasador i Ambasadës së Kosovës në Zvicër
“Në emër të Ambasadës së Kosovës në Zvicër, iu uroj të gjithë shqiptarëve Ditën e Flamurit. Është një ditë e madhe që na tregon kush jemi, çfarë jemi dhe çfarë na lidh. Duhet t’i gëzohemi të gjithë kësaj date. Gëzohem që jemi bashkë në këtë festim që ka organizuar Ambasada e Shqipërisë. Kjo është një shenjë shumë e mirë”.

Anton Nikolla, afarist
“Së pari, uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë. Urime festa e lirisë, festa e pavarësisë. I bekoftë i madhi Zoti botën shqiptare, popullin shqiptar kudo që janë. Sonte ka qenë një manifestim shumë i bukur, dhe ambasadori Nano na emocionoi shumë që do ta lë Zvicrën. I dëshirojmë të gjitha të mirat, sepse ka bërë një punë të shkëlqyer. Jemi shumë falënderues për gjithçka”.

Nazmi Jakurti ekspert juridik
“Sonte jemi në festën e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Bernë, për Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Janë mbledhur shumë shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare, nga vendlindja dhe nga diaspora në Zvicër. Është një mbrëmje e mrekullueshme dhe vërtetë është kënaqësi t’i shohësh shqiptarët bashkë”.

Aina Hoti, Koordinatore e Rrjetit të Gruas të Diasporës Shqiptare në Zvicër
“Jam shumë e lumtur që jemi këtu sot. Më duket sikur jemi një familje e madhe. Për herë të parë po shikoj njerëz që kam vite pa i parë, dhe jemi të gjithë bashkë. Uroj nga zemra, gëzuar festofshim bashkë për shekuj. Mbase ambasadori ynë sot largohet, por ne jemi këtu dhe do të jemi gjithmonë bashkë. Komuniteti shqiptar duhet të jetë gjithmonë bashkë”.

Rexhep Demiri, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zvicër
“I uroj të gjithë mërgatës festën e 28 Nëntorit, festën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe Pavarësinë e Kosovës, me kryelgjendarin Adem Jasharin. Është kënaqësi e veçantë që jemi të bashkuar këtu në Zvicër, në çdo aktivitet, dhe nuk kemi dallime nga vijmë. Ne jemi një.”

  Asllan Karai, ekspert i së Drejtës Evropiane
“Ishte diçka shumë e bukur, ku shqiptarët mblidhen për 28 Nëntorin, ku kujtojnë sakrificat më sublime të brezave, të gjyshërve dhe stërgjyshërve. Është një festë madhështore që bashkon shqiptarët kudo që janë, në trojet amtare, në Evropë apo Amerikë. Urimi im është që shqiptarët të jenë gjithmonë të bashkuar dhe të kenë një perspektivë që i përket shekullit të Inteligjencës Artificiale. Uroj që Shqipëria të jetë ndër kombet më të zhvilluara të planetit”.

Ilirijana Bejta, dramaturge dhe regjisore nga Prishtina – Neofilms
“Jemi me shumë fat që takuam shumë shqiptarë të mirë dhe të suksesshëm. Urime të gjithëve festën!”

Dalip Gashi, regjisor dhe producent – Neofilms
“Sot, më 28 Nëntor, uroj të gjithë shqiptarët. Ndjehemi me fat dhe krenar që jemi shqiptarë. Urime festën dhe të gjitha të mirat e botës.”

Dorina Karafili, Specialiste në Kontabilitet dhe Administrim Biznesi
“Me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë, i uroj të gjithë shqiptarëve gëzuar festat dhe gëzuar për një Shqipëri të madhe dhe të bashkuar”.

Brikela Andrea, Drejtuese e Bibliotekës Interkulturore Zentrum5 – Bern
“Të gjithë shqiptarëve u uroj festat e 28 dhe 29 Nëntorit. Është shumë bukur që kemi arritur të mblidhemi këtu, nga të gjitha anët, jo vetëm shqiptarë, por edhe shqiptarë dhe zviceranë, sepse është e bukur që e festojmë këtë festë së bashku”.

Suela Kasmi, nga Shkodra në Bernë
“Një mbrëmje shumë e bukur, një ambient shumë i këndshëm, ku takohemi mes veti falënderim ambasadës së Shqipërisë. Gëzuar festat! Jemi shumë të lumtur dhe besojmë se Shqipëria, Kosova dhe Çamëria do të na mbledhin sërish kështu, jo vetëm për festa, por edhe për gjëra më të bukura dhe më të mëdha.”

Teuta Doku Nikolet-Felix, Këngëtare lirike
“Uroj të gjithë shqiptarët për një Shqipëri më të mirë dhe më të përparuar se sot.”

Endri Ramaj, Inxhinier
“Është hera e dytë që marr pjesë në eventin e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër. Është një mundësi shumë e mirë për të takuar dhe festuar me të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm. Ju uroj të gjithëve 28 dhe 29 Nëntorin dhe të gjitha festat e nëntorit, sa më shumë mbarësi, shëndet dhe lumturi!”

Mentor Latifi, Ambasador i Ambasadës së Kosovës në Zvicër
“Në emër të Ambasadës së Kosovës në Zvicër, iu uroj të gjithë shqiptarëve Ditën e Flamurit. Është një ditë e madhe që na tregon kush jemi, çfarë jemi dhe çfarë na lidh. Duhet t’i gëzohemi të gjithë kësaj date. Gëzohem që jemi bashkë në këtë festim që ka organizuar Ambasada e Shqipërisë. Kjo është një shenjë shumë e mirë.”

Alisjan Loshaj, Afarist – Elite Invest
“Kam ardhur sot me ftesën e ambasadorit shqiptar, z. Mustafa Nano, në Bernë të Zvicrës, për të festuar së bashku me shumë shqiptarë Festën e Flamurit. Në këtë kohë të re, nuk kemi më nevojë të jemi patriotë me armë, por të përhapim vlerat tona kombëtare, të kujtojmë sakrificat dhe dëshmorët që, me guxim dhe mençuri, na lanë një identitet të pastër dhe të pacënuar. Fëmijët tanë, edhe pse mbajnë pasaporta të tjera, gjithmonë do të identifikohen si shqiptarë. Prandaj, le t’i mësojmë ata të jenë krenarë për gjuhën dhe kulturën e tyre, duke e ruajtur shqipen si një thesar të trashëgimisë sonë. Urime Festën e Flamurit!”

Ngjarja festive e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Bernë ishte një pasqyrë e bukur e lidhjeve të thella që ekzistojnë mes shqiptarëve, pavarësisht nga vendi ku ata ndodhen. Mesazhet dhe urimet e shumta nga përfaqësues të diasporës dhe diplomatë theksuan unitetin, solidaritetin dhe krenarinë kombëtare që i bashkon shqiptarët në këtë ditë të shënuar. Kjo ngjarje na kujton sakrificat dhe përpjekjet e brezave të kaluar, duke na nxitur që çdo shqiptar të ndihet pjesë e një historie të madhe dhe një misioni të pandërprerë, e cila vazhdon të shkruhet çdo ditë, kudo që ata janë.