Kosova

Sulmohet me granatë dore ndërtesa e Komunës së Zveçanit

Ndërtesa e Komunës së Zveçanit është sulmuar me granatë dore, mbrëmë pas mesnate.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha për gazetën online Reporteri.net se nuk ka pasur të lënduar përpos dëmeve materiale. Ai bëri të ditur se ndërtesa e Komunës është dëmtuar dhe po ashtu edhe katër vetura të parkuara.

Sipas dyshimeve të policisë, bëhet fjalë për një granatë dore e llojit M-75.

“Mbrëmë para mesnate ka pasur një shpërthim që ne dyshojmë se ka qenë granatë dore e llojit M-75. E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e Komunës së Zvecanit, e po ashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër. Nuk ka të lënduar apo të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit.

Policia mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të ofrojë shërbimet ndaj qytetarëve të veriut të vendit”, tha Elshani për Reporteri.net.

Kujtojmë se dy ditë më parë, dy granata dore janë hedhur edhe në oborrin e stacionit policor në Zveçan. Policia bëri të ditur se përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar.

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, dënoi ashpër këtë akt, duke e quajtur të papranueshëm dhe kërcënim serioz ndaj sigurisë publike.

Peci ka thënë se si kryetar i asaj komune do të angazhohet për të siguruar se do të merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbështetur institucionet e rendit dhe ligjit.