Lajme

Nga viti 2026, trena direkt nga Cyrihu në Firence dhe Livorno

Hekurudhat Federale të Zvicrës dhe Trenitalia do të ofrojnë trena direkt nga Cyrihu në Firence dhe Livorno dhe anasjelltas nga viti 2026.

Për të shënuar zgjerimin e bashkëpunimit, dy kompanitë hekurudhore kanë prezantuar edhe trenin e ri Eurocity që do të qarkullojë mes dy vendeve.

Një lidhje shtesë nga Cyrihu në Milano dhe Venecia do të futet gjithashtu nga viti 2026, tha SBB në një deklaratë të premten, transmeton albinfo.ch.

Me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi në stacionin Milano Centrale të premten, të dy kompanitë zgjeruan bashkëpunimin e tyre shumëvjeçar, shkruan swissinfo.

Partneriteti midis Trenitalia dhe Hekurudhave Federale filloi në vitin 2009 dhe ka qenë një sukses, sipas deklaratës. Dy kompanitë hekurudhore kanë transportuar tashmë 30 milionë udhëtarë midis Italisë dhe Zvicrës.