Lajme

Cyrihu pret humbje prej mbi 200 milionë frangash

Në vitin 2025 qyteti do të ketë një deficit prej 226.2 milionë frangash dhe do të mbetet në të kuqe edhe vitet në vijim, sipas drejtorit financiar të Bashkisë, Daniel Leupi, përcjell albinfo.ch.

Kjo është një situatë e pazakontë për një qytet të pasur, sepse në të kaluarën ka pasur fitime.

“Në vitin 2023, për shembull, llogaritë ishin të zeza me mbi 230 milionë, pavarësisht një deficiti të buxhetuar”, theksoi Leupi. “Unë nuk supozoj më se do të jemi në gjendje t’i mbyllim në të zezë vitet e ardhshme”.

Humbja është për shkak të shpenzimeve më të larta të parashikuara, duke përfshirë punonjësit e rinj të bashkisë, si mësuesit, të cilët janë të nevojshëm për shkak të rritjes së numrit të nxënësve dhe zgjerimit të shërbimeve të kujdesit për fëmijët.

Këshilli i qytetit po vë në dispozicion gjithashtu mbi 40 milionë franga për paga më të larta dhe kompensim të kostos së jetesës, ndër shpenzimet e tjera.