Lajme
Swissalbs, tani edhe në Bernë: E nis me një debat mbi politikat e banimit
Ndër pjesëmarrësit ishin edhe Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi; Islam Alijaj, deputeti i parë shqiptaro-zviceran në Parlamentin e Zvicrës etj.
swissalbs ka zgjeruar aktivitetet e saj në Bernë, me një fokus të qartë në forcimin e ndikimit të diasporës shqiptare dhe në zhvillimin e komunitetit të sipërmarrësve lokalë. Ky hap strategjik ka për qëllim të krijojë një platformë të fuqishme për rrjetëzimin e sipërmarrësve dhe për të nxitur diskutime të thella dhe të vlefshme mbi sfidat dhe mundësitë në sektorin e ndërtimit dhe politikës së banimit.
Inaugurimi i kësaj faze të re në Bernë përfaqëson një mundësi të mirë për të kontribuar në avancimin e komunitetit të biznesit dhe për të rritur ndikimin e diasporës shqiptare në Zvicër, duke ndihmuar kështu në formimin e politikave dhe zgjidhjeve të qëndrueshme për çështjet e banimit në këtë rajon të rëndësishëm.
Më 13 shtator, në ambientet e Wirz AG Bauunternehmung u mbajt një panel diskutimi që përfshiu figura të njohura nga fushat e ndërtimit dhe politikës së ndërtimit të banesave. Pjesëmarrësit, përfshirë Claudine Esseiva, Melanie Mettler, Jeton Tolaj dhe Matthias Aebischer, ofruan një pasqyrë të thellë mbi zhvillimet dhe sfidat në këtë sektor, duke diskutuar mbi perspektivat e ardhshme dhe strategjitë për të përballuar sfidat e ndërtimit në Bernë dhe më gjerë.
Arbela Statovci, përfaqësuese e Swissalbs, theksoi rëndësinë e këtij zgjerimi në Bernë. Ajo shpjegoi se, përveç nevojës për më shumë banesa në të gjithë Zvicrën, problemi i rritjes së numrit të banorëve është një shqetësim po ashtu i madh. Zvicra ka një popullsi aktuale prej 9 milionë banorësh, dhe parashikohet që ky numër të rritet në vitet e ardhshme. Në këtë kontekst, problemi i deficitit të banesave bëhet edhe më i rëndësishëm. Ndërkohë që në Cyrih tashmë ka filluar nisma për ndërtimin e kateve të rinj dhe nënshkrimet janë grumbulluar, Berna është ende në fazën e diskutimeve për gjetjen e mbështetjes së nevojshme për këtë iniciativë”.
Sfidat e kësaj teme politike u diskutuan në detaje, duke përfshirë propozimet e Liberalëve të Gjelbër për të miratuar ligjin dhe ndërtimin e kateve të rinj, si dhe shqetësimet e Partisë Socialdemokrate (SP) për ndikimin e mundshëm të ndërtimit të dendur në pamjen e qytetit.
Panelistët diskutuan gjithashtu mbi nevojën për të rishikuar format e banesave, duke sugjeruar se mund të mos jetë më i nevojshëm posedimi i banesave me 4 ose 5 dhoma, por me 2 ose 3 dhoma që janë të përballueshme për çiftet e reja dhe individët që jetojnë vetëm. Çështja e kostove të larta të ndërtimit, për shembull në Cyrih, ishte gjithashtu një temë e rëndësishme e diskutuar.
Të ftuarit kontribuuan me fjalime të vlefshme që theksuan rëndësinë e integrimit dhe mbështetjes së diasporës për zhvillimin e rajonit.
Në mesin e tyre ishin edhe: Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi; Islam Alijaj, deputeti i parë shqiptaro-zviceran në Parlamentin e Konfederatës Zvicerane; Përparim Avdili nga radhët e FDP-së; dhe Jeton Tolaj, CEO i Wirz Bauunternehmung.
Islam Alijaj, deputeti i parë shqiptaro-zviceran në Parlamentin e Konfederatës Zvicerane, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak dhe përfaqësimit të fortë në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ai theksoi se bashkëpunimi mbipartiak është thelbësor për të arritur një përfaqësim më të pranishëm dhe për të përkrahur njëri-tjetrin në nivel komunal, kantonal dhe federal.
Jeton Tolaj, CEO i Wirz Bauunternehmung, shprehu kënaqësinë për organizimin e këtij eventi dhe për angazhimin e komunitetit në diskutimin e politikës së ndërtimit. Ai theksoi se, edhe pse tema ishte ndërtimi i Bernës, kishte një interes të madh edhe nga kantonet e tjera, duke treguar fuqinë dhe suksesin e komunitetit shqiptarë në Zvicër.
Ambasadori Mentor Latifi e cilësoi ngjarjen si një shembull të shkëlqyer të integrimit dhe forcës së diasporës shqiptare në Zvicër. Ai theksoi: “Ne sot pamë një event, një tryezë të rrumbullakët të organizuar në mënyrën më të mirë, ku të involvuarit kryesorë ishin të diasporës sonë, dhe kjo më gëzoi shumë. Për këtë jam edhe këtu dhe gëzohem çdoherë të shoh sesi janë integruar dhe sesi janë etabluar njerëzit tanë, diaspora jonë. Ky është shembulli më i mirë për të parë rolin tonë, faktorin tonë dhe forcën tonë në shtetin helvetik. Shteti ynë mikpritës ka ndikuar që ne të rritemi dhe të jemi këtu ku jemi. Por edhe ne si diasporë që kemi shfrytëzuar shansin jemi në rritje të integrimit dhe të marrjes së përgjegjësive”.
Arbnesha Berisha, arkitekte me Master në “Inxhinieri të Strukturave të Qëndrueshme”, ndau vizionin e saj për ndërtimin e qëndrueshëm. Ajo theksoi se qëllimi është të ndërtohen godina që përfshijnë arkitekturë estetike dhe teknologji të qëndrueshme, në harmoni me natyrën dhe që i përgjigjen nevojave të njerëzve. Ndërtimi i dendur, sipas saj, do të thotë të gjejmë balancimin midis urbanizmit dhe hapësirave të gjelbra për të promovuar cilësinë e jetesës dhe biodiversitetin në qytetet tona.
Partnerët kryesorë të këtij eventi ishin Helvetia Insurance Switzerland dhe Thomas Nyffeler, ofruan mbështetje të çmuar për realizimin e këtij paneli të suksesshëm.
swissalbs shprehu entuziazëm për të ardhmen kur priten takime dhe ngjarje të tjera frymëzuese në Bernë. Organizata, e cila ka katër fokuse kryesore: ekonominë, arsimin, kulturën dhe sportin – ka filluar punën e saj pesë vjet më parë dhe synon që aktivitetin e saj ta përhapë në të gjithë vendin. Aktualisht, Swissalbs është e fokusuar në pjesën gjermanishtfolëse të Zvicrës dhe angazhohet në mënyrë vullnetare për të mbështetur integrimin e komunitetit shqiptar. Në të ardhmen, organizata synon të zgjerojë aktivitetet në Kantonin e Bazelit dhe të zhvillojë më tej iniciativat në fushën e arsimit për të ndihmuar familjet me fëmijë të kuptojnë dhe të integrohen në sistemin e arsimit dual të Zvicrës.
Në përfundim, aktivitetet e zhvilluara në Bernë kanë dëshmuar angazhimin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptar në Zvicër për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve dhe për të avancuar zhvillimin e rajonit. Me mbështetje të fortë nga përfaqësues të ndryshëm të politikës dhe biznesit, dhe me ide inovative për ndërtimin e qëndrueshëm, Swissalbs po shënon një moment të rëndësishëm në historinë e saj, që ndihmon në fuqizimin e rrjetëzimit dhe avancimin e qëllimeve të përbashkëta.
E-Diaspora
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu Më 10 dhjetor 2024, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë...
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor